Analisti Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me mbledhjen e kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, duke e cilësuar këtë proces si një ndërhyrje të nevojshme në funksionimin e administratës dhe qeverisjes.
Sipas Çupit, deklarata e kryeministrit për kërkesat për dorëheqje ishte një mesazh politik i drejtpërdrejtë, por edhe një reflektim mbi situatën e krijuar nga protestat.
Deklarata që bëri dje kryeministri, e cila ishte një përgjigje alegorike ndaj protestës, ku tha se më kërkojnë dorëheqjen, por unë do të ndaj një opinion për këtë çështje, duket si një thënie e thjeshtë, por në realitet është e rëndësishme, sepse pala që proteston e di që nuk ka asnjë arsye që Rama të japë dorëheqjen dhe nuk ka për të ndodhur një gjë e tillë. Ndërkohë, kryeministri e di që ajo kërkesë është e vjetër.
Analisti theksoi se ekzistenca e kësaj përplasjeje politike lidhet edhe me figurën e vetë Ramës në krye të qeverisë, duke argumentuar se protesta nuk do të kishte të njëjtën formë nëse në pushtet do të ishte një tjetër lider politik.
Është interesante që kjo protestë nuk do të ndodhte nëse në krye nuk do të ishte Rama. Nëse Berisha do të ishte kryeministër, kush do t’i lejonte ata të protestonin një muaj apo dy muaj? Kush do të mund të bërtiste që ta varim Berishën në litar? Deri tani do të ishte varur gjysma e tyre. Jemi në kushte që të dyja palët janë të domosdoshme për njëra-tjetrën.
Çupi vlerësoi se kryeministri mund ta përdorë situatën e krijuar nga protesta si një mundësi për të identifikuar problemet dhe për të ndërhyrë në strukturat qeverisëse.
Këtë protestë Rama do ta përdorë shumë pozitivisht për reflektim. Rama e kërkon problemin gjithmonë te motori dhe sot pikërisht ky motor është mbledhur. Është thënë se ne po i regjistrojmë të gjitha kërkesat reale që kishin qytetarët ndaj qeverisë dhe qeveria e ka gjetur shumë realisht shqetësimin e qytetarëve, sidomos në raport me qeverisjen e nivelit të dytë, që janë drejtoritë e ministrive dhe pushteti lokal.
Sipas tij, pavarësisht modernizimit të shtetit dhe reformave të ndërmarra, ende ekzistojnë probleme në administrim dhe mënyrën e funksionimit të strukturave publike.
Një gjë duhet të jemi të sigurt dhe të vetëdijshëm: në shumë raste, megjithëse janë bërë hapa modernizues të shtetit, ka shumë episode të prapambetjes së administrimit të qeverisjes. Do të ndryshojnë shumë formula, diçka ngec atje dhe ndoshta jo për vetë arsyen e funksionarit, por për shkak të modelit joreal. Mendoj se do të ketë ndërhyrje te motori i makinës në rang funksionarësh.
Analisti paralajmëroi gjithashtu ndryshime në përbërjen e qeverisë, duke thënë se kabineti mund të ketë emra të rinj.
Besoj se patjetër që do të ketë emra të rinj në kabinet. Një gjë është për t’u thënë: nuk ka asnjë mik në qeverinë e Ramës. Në qeverinë e Berishës të gjitha ministret gra ishin shoqe të Lirisë dhe Argitës. Edi Rama nuk ka asnjë mik që t’i thotë ‘je burrë i mirë’ apo ‘je grua e mirë’, por shikon punën.
Duke komentuar edhe figurat brenda qeverisë, Çupi u ndal te Elisa Spiropali, për të cilën tha se është pjesë e problematikave që kërkojnë zgjidhje.
Spiropali është pjesë e makinës së prishur. Spiropali ka thënë ‘Skënderbeu kur jam unë në detyrë’ dhe jo ‘Skënderbeu kur nuk jam unë’. Ajo është pjesë e makinës së prishur. Besoj dhe jam i vetëdijshëm që sot problemi kryesor është përshpejtimi drejt BE-së, janë çështje të Shqipërisë. Sigurisht që dita e sotme do të jetë e rëndësishme për ndryshime në sensin e qeverisjes dhe besoj se do të ketë zhvillime të mëdha në Kadastër.



