Qeveria e Argjentinës ka njoftuar se do të propozojë eliminimin e femicidit nga Kodi Penal, duke argumentuar se ligji aktual nënkupton "një shtrembërim të konceptit të barazisë që krijon vetëm privilegje, duke vënë gjysmën e popullsisë kundër tjetrës".
“Ne do të eliminojmë konceptin e femicidit nga Kodi Penal sepse kjo administratë mbron barazinë përpara ligjit të parashikuar në Kushtetutën tonë kombëtare. Asnjë jetë nuk vlen më shumë se një tjetër”, shkroi ministri i Drejtësisë Mariano Cúneo Libarona në platformën "X".
Ligji në fuqi parashikon dënime më të larta për vrasjet e lidhura me gjininë, ku viktima janë vajzat dhe gratë.
Për të ndryshuar Kodin Penal të Argjentinës është e nevojshme të miratohet një ligj në Parlament ku qeveria nuk ka shumicën dhe kundërshtohet nga opozita e qendrës së majtë, e cila kishte futur femicidin kur ishte në pushtet.



