
Lanin tamponët e përdorur dhe i përdornin sërish për të testuar pasagjerët që niseshin nga Aeroporti Medan, Indonezi. Pesë punonjës të një kompanie farmaceutike u arrestuan me këtë akuzë dhe, siç raportohet nga BBC, sipas policisë rreth 9 mijë njerëz mund t’u jenë nënshtruar kontrolleve me këto lloj tamponësh.
Tani Kimia Farma, kompani shtetërore, rrezikon një proces gjyqësor të mundshëm nga udhëtarët. Sipas Jakarta Post, të paktën 150 kite janë përdorur disa herë për testin e shpejtë të antigjenit, një rezultat negativ i të cilit e lejon udhëtarin të niset, siç kërkohet nga masat qeveritare.
Skandali pritet të ndikojë në perspektivën e një rimëkëmbjeje të turizmit, një nga shtyllat e ekonomisë indoneziane.
Për policinë, ky mashtrim sistematik filloi në dhjetor në aeroportin e kryeqytetit të Sumatrës Perëndimore. Pas ankesave të shumta nga udhëtarët për teste pozitive, kur në të vërtetë nuk kishin Covid, policia javën e kaluar dërgoi një agjent të fshehtë për t'iu nënshtruar testit, i cili rezultoi pozitiv: kolegët e tij hynë në laboratorin e testeve dhe zbuluan se kompletet po përdoreshin përsëri.



