Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, e cilëson të pamundur kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve. Gjatë një bashkëbisedimi në studion e TemA TV, Kume u shpreh se afati i fundit ligjor i mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare është java e fundit e qershorit. Kume tha se një shtyrje e mandatit të Kuvendit aktual do të krijonte një situatë ekstraligjore. Ndërsa mbajtjen e zgjedhjeve pa opozitën, Kume e cilësoi regres.
“Ne jemi në këto 25-27 vjet në përpjekje për të ndërtuar shtetin e së drejtës, në themel të të cilit qëndron procesi zgjedhor dhe vota e lirë. Në kushtet kur nuk merr pjesë opozita jo vetëm që nuk është e pranueshme, por do të ishte një zhvillim që do të na çonte në regres. Nuk zhvillohet dot një shoqëri vetëm me një krah. Procesi do të ishte gjysmak. Në Kushtetutë përcaktohet se zgjedhjet zhvillohen duke pasur parasysh ditën kur mbaron mandati i Kuvendit aktual. Mandati përfundon në 9 shtator dhe zgjedhjet duhet të bëhen në gjysmën e parë të vitit. Me ligjin zgjedhor është përcaktuar që nëse mbahen në këtë kohë, zgjedhjet duhet të jenë në dy të dielat e fundit të qershorit. Pra nuk mund të shtyhen më shumë se një javë. Një shtyrje e tyre do të ishte një situatë ekstraligjore. Në bazë të ligjit nuk mund të shtyhet mandati i këtij kuvendi. Unë nuk shoh mundësi përveçse një dakordësi ekstraligjore mes dy palëve politike që do të çonte drejt zgjidhjes”, tha ai.



