Ashtu siç ishte paralajmëruar, ka nisur këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë protesta kundër importit të mbetjeve të riciklueshme.Vetëm dy ditë më parë ligji për lejimin e importit të mbetjeve të riciklueshme në vend u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese me votat e tre partive më të mëdha në vend, PD, PS dhe LSI.
Kreu i komisionit, Eduart Shalsi tha se drafti ka pësuar ndryshime dhe sqaroi se në Shqipëri do të vijnë vetëm mbetjet e riciklueshme dhe jo ato për t’u djegur.Ndërsa ditën e djeshme, LSI nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar të kësaj force politike, Petrit Vasili dorëzoi në Kuvend një amendament për ligjin e importit të mbetjeve. Sipas relacionit shpjegues të këtij amendamenti, LSI kërkon monitorim në dogana për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve nga ana e organizatave të shoqërisë cilvile. Ndërkohë, ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, janë në rendin e ditës së seancës së sotme të Kuvendit.



