
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt ka zhvilluar një takim me partitë e vogla. Gjatë takimit, Borchardt është treguar i prerë lidhur me datën e zgjedhjeve, pra 30 Qershorin.
“Partitë të gjejnë zgjidhje për situatën politike. Kemi një datë zgjedhjesh, ajo është 30 qershori”-është shprehur ai.
Borchardt ka përsëritur deklaratën e tij, se ndërkombëtarët nuk do të ndërhyjnë që palët të gjejnë një zgjidhje, pasi sipas tij, janë partitë politike që duhet të gjejnë zgjidhjen më të mirë. Në fjalën e tij, ambasadori i OSBE ka theksuar se ndërkombëtarët kanë dhënë disa propozime, por "fjalën e fundit" do e thonë vetë partitë.
Ai u shpreh se ndryshimi i datës së zgjedhjeve është një proces i ndërlikuar. Sipas tij, shtyrja e zgjedhjeve është një mundësi, por nuk sjell të mira:
"Zgjidhja nuk na takon ne. Ne i inkurajojmë partitë politike që të gjejnë një zgjidhje. Japim propozime, por fjala e fundit u takon atyre. Politikanët duhet të marrin vendimin, se çfarë është më e mira për popullin e tyre. Për momentin ne kemi një datë zgjedhjeje. Ndryshimi i datës është një proces i komplikuar. Sigurisht, shtyrja është një mundësi, por a është një mundësi e mirë. Çfarë të mire mund të sjellë sot", tha Borchardt.
Takimi vjen pas marrëveshjes së PD me aleatët e saj për krijimin e një koalicion të bashkuar opozitar për zgjedhjet e ardhshme në vend.



