
Rreth 70 persona kanë përfunduar në spital në Gjilan, pasi konsumuan darkën e iftarit. Ngjarja ka ndodhur të premten. Kryeprokurori i Gjilanit thotë se restoranti është mbyllur.
Siç raporton “Zëri”, 70 klientët kishin konsumuar darkën e iftarit në restorantin “Garden”, pasi kishin agjëruar gjatë gjithë ditës.
Sipas Policisë së Kosovës, të gjithë të helmuarit nga ushqimi janë në lidhje familjare.
“Momentalisht janë 31 persona të hospitalizuar dhe ekziston dyshimi se ata janë të helmuar. Pacientët janë në lidhje familjare, janë pjesëmarrës të iftarit të datës 8 qershor në restorantin ‘Garden’. Ditën e nesërme kanë ardhur 23 persona dhe kanë kërkuar mjekim, kurse më 10 qershor kanë ardhur edhe 46 persona të tjerë”, ka thënë për “Zërin” drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nysret Hajrullahu.
Sipas tij, pacientët janë jashtë rrezikut dhe se për trajtimin e tyre janë kthyer edhe mjekët që kanë qenë në pushim vjetor.



