
Policia e Kosovës doli me një deklaratë, duke u shprehur se thirrjet për protesta masive në Jug të Mitrovicës, të shpërndara nga profile të dyshimta në rrjetet sociale, mund të jenë me qëllime të këqija, në dëm të qytetarëve dhe të interesave të Kosovës.
“Blutë” theksojnë në deklaratë se qytetarët duhet të mos bien pre e asnjë “gjoja organizimi nga persona të panjohur, por t'i lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm”.
Një reagim erdhi edhe nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, që u shpreh thirrjet në rrjetet sociale për të protestuar në Jug të Mitrovicës janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës.
“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës. Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, ka shkruar Sveçla në Facebook.



