
Protesta e studentëve e zhvilluar këtë të martë në Tiranë është shoqëruar me tensione, akte dhune dhe përplasje me forcat e policisë.
Protesta e paralajmëruar nisi rreth orës 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët kërkuan përmirësimin e kushteve në universitete, uljen e kostove të arsimit dhe më shumë mundësi punësimi.
Situata u përshkallëzua në zonën e Rrugës së Durrësit, ku protestuesit shkaktuan dëme në godinën e Ministrisë së Arsimit dhe bizneset përreth, ndezën zjarre në rrugë dhe hodhën gurë drejt efektivëve të policisë. Këta të fundit ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa nga terreni u raportuan edhe episode të përdorimit të dhunës ndaj protestuesve.
Gazetarët e MCN në terren raportuan se protesta u zhvendos më pas nga Rruga e Durrësit drejt qendrës së kryeqytetit, ku u shkaktuan dëme materiale në godinën e Bashkisë së Tiranës, ndërsa u dogjën edhe tezga në tregun e Pazarit të Ri.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, 40 persona janë shoqëruar, mes tyre katër të mitur të moshave 15 deri në 17 vjeç. Gjatë protestës u raportuan gjithashtu persona të lënduar, përfshirë gazetarë dhe punonjës të policisë.
Zhvillimet sollën edhe reagimin e Ambasadës Amerikane, e cila u bëri thirrje qytetarëve të shmangnin zonat ku po zhvillohej protesta. Ndërkohë, Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ lidhur me përdorimin e forcës nga policia.



