
Një gjykatës në Nju Jork vendosi 10 milionë dollarë si garanci për Harvey Weinstein, 1 milion prej të cilave duhen paguar kesh. Po ashtu, gjykata lëshoi urdhrin e sekuestrimit të pasaportës dhe pajisjes së producentit me një pajisje GPS, në mënyrë që të jetë i gjurmueshëm në çdo moment.
Producentit të njohur të Hollivudit iu hoqën prangat në stacionin e policisë së Nju Jorkut, ku ishte dorëzuar gjatë orëve të para të së premtes. Në njoftimin e policisë së Nju Jorkut thuhet se Weinstein akuzohet për përdhunim dhe falënderohen “viktimat kurajoze që kërkuan drejtësi”.
Lucia Evans ishte e para që ngriti akuzën për përdhunim ndaj producentit në lidhje me një episod të vitit 2004. Denoncimi i saj u pasua nga disa emra të tjerë të Hollivudit.
Zyrtarisht Weinstein akuzohet për një rast përdhunimi dhe një rast tjetër kur ka detyruar një aktore për seks oral.



