
Një nismë ligjore në Kaliforni parashikon që kafeja, njësoj si cigaret, duhet të shoqërohet me etiketa që informojnë në lidhje me rrezikun e kancerit. Kjo masë kërkohet të aplikohet nga rrjetet kryesore të tregtimit të kafesë si “Starbucks” dhe “7-Eleven”.
Sipas një OJF-së Këshilli për Edukim dhe Kërkime mbi Substancat Toksike, që ka bërë propozimin, kafeja ka një rrezik potencial për kancer, për shkak të një substance kimike të quajtur akrilamid, i cili gjenerohet gjatë procesit të pjekjes së kafes në temperature të larta.
Akrilamidi është substancë potencialisht kancerogjene. Instituti Kombëtar për Kancerin në SHBA (NCI) e rendit kafenë në listën e produkteve me përbërjen më të lartë të akrilamidit, krah patateve të skuqura, biskotat etj. NCI rekomandon reduktimin e kohës së pjekjes për të zvogëluar sasinë e akrilamidit në produktet ushqimore. Megjithatë, sa u përket sëmundjeve, studime të shumta nuk kanë qenë në gjendje të provojnë se ekspozimi ndaj ushqimeve me përmbajtje të lartë akrilamidi mund të çojë në shfaqjen e kancerit. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



