
Mediat malazeze kanë publikuar të tjera pamje nga keqtrajtimi i Petraq Milos, Kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Partinë e Lirisë në Shqipëri, ngjarje e ndodhur më 18 janar të këtij viti.
Videoja prej 34 sekondash tregon Milon që ndodhet pranë timonit, ndërsa rreth tij janë të paktën tre policë kufitarë malazezë.
Në një moment, shihet në video, teksa një oficer i Sektorit të Policisë Kufitare nga dritarja kap një burrë për fytyrën me grusht dhe i thotë: "Sa të flasësh, tani do ta thyej nofullën. ".
Milo dëgjohet duke folur shqip dhe anglisht.
Nuk kam bërë asgjë, asgjë nuk kam bërë. Të lutem shumë”, thotë ai, por efektivi i mbyll gojën me dorë dhe e godet.
Në këtë moment në mjetin e Milos nisin të klithnin fëmijët: “Oooo, çfarë po i bën, çfarë po i bën babit”.
Efektivi më pas hap derën dhe e nxjerr Milon zvarrë nga makina.
Petraq Milo dhe familja e tij janë dhunuar fizikisht nga Policia malazeze në vendkalimin kufitar të Muriqanit.
Milo ka qenë së bashku me familjen e tij kur është nxjerrë me forcë nga makina dhe është dhunuar nga një efektiv malazez, ndërsa priste në radhë në kufi.
Në mediat sociale janë publikuar edhe disa video, në të cilat shihet momenti kur anëtari i Kryesisë së Partisë së Lirisë nxirret nga makina me forcë dhe dhunohet, ndërsa po ashtu është dhunuar edhe djali i tij.
Zëvendësdrejtori në Sektorin e Policisë Kufitare malazeze, Dragan Klikovac është pezulluar nga detyra, pas incidentit të rëndë që u shënua në kufirin e Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Drejtoria e Policisë (UP) ka njoftuar lidhur me video incizimin se policët e Policisë Kufitare të Malit të Zi kanë keqtrajtuar brutalisht një shtetas shqiptar në pikën kufitare Sukobin- Muriçan dhe se procedura për përcaktimin e përgjegjësisë së zyrtarëve të Drejtorisë së Policisë, si dhe procedura pranë Departamentit për Kontroll të Brendshëm, është duke u zhvilluar.
“Me rastin e videos së publikuar sot në rrjetet sociale, e cila është transmetuar nga media të caktuara, për informim objektiv, informojmë opinionin se bëhet fjalë për një ngjarje të datës 15 janar, e cila ka ndodhur në kufirin e përbashkët Sukobin – Muriçan. Kjo ngjarje ka qenë objekt i adresimeve publike të Drejtorisë së Policisë dhe tani është publikuar një incizim i vjetër i së njëjtës ngjarje, i cili është regjistruar nga një kënd tjetër. Lidhur me ngjarjen në fjalë janë marrë masa dhe veprime zyrtare që kanë rezultuar në identifikimin e të gjithë aktorëve të ngjarjes në fjalë, si dhe është duke u zhvilluar procesi i konstatimit të përgjegjësisë së punonjësve të Administratës Policore, si dhe procedura pranë Departamentit për Kontroll të Brendshëm të Policisë - MPB. “, thuhet në komunikatën e Drejtorisë së Policisë malazeze.
Komiteti malazez i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (CHO), me rastin e sulmit të pjesëtarëve të MPB-së së Malit të Zi (Policia Kufitare) ndaj një shtetasi shqiptar në pikën kufitare Sukobin - Muriçan, u bëri thirrje partive opozitare dhe të gjitha strukturave politike përgjegjëse dhe individëve që të kërkojnë shkarkimin e ministrit Filip Axhiq, nëse siç thonë ata, ai ministër nuk e ndjen nevojën dhe domosdoshmërinë e dorëheqjes së tij.



