Piktori Gazmend Leka, duke folur në emisionin “Arnautistan“ në MCN TV, e konsideroi një bekim për kombin dhe një gjest të madh abetaren unike Shqipëri-Kosovë.
Leka tha se shteti duhet ta bëjë monopol abetaren sikundër pullat, apo lekun.
Për mua abetarja është libri i librave. Është libri i shenjtë i të shenjtave, duhet të zërë një vend të rëndësishëm në bibliotekën tonë. Është e vërtetë që ne abetaren e parë nuk e hapim më, por nuk hapim as tapitë e shtëpive, që janë themeli i shtëpisë. Abetarja është çelësi që inkapsulon gjuhën nëpërmjet shkrimit. Abetarja e unifikuar për mua është një gjest i madh që është bërë. Ishte një akt shumë i lavdërueshëm, e konsiderova si bekim. Në kohët e vjetra bekim ishte të të linte babai një pronë. Abetarja e unifikuar është një bekim i madh për Shqipërinë, si flamuri, himni, heroi kombëtar. Dua që shteti abetaren ta bëjë monopol, si pullat dhe lekun. Deri në vitin 90’ abetarja ka qenë e unifikuar. Ne vazhduam me abetare alternative, tani u bë e unifikuar. Me çdo lloj abetare e mëson shqipen, por unë dua të ishte edhe një shenjë, një simbol. Ti mund të bësh lëndët e tjera alternative, por abetaren do ma kishte qejfi të mos ishte alternative. Kanë lënë më kryesorin përjashta abetares, bukurshkruesi. Nuk është konsideruar fare. Ka diferencë të madhe mes dikujt që mëson tabelën e shumëzimit dhe atij që i bën me makinë llogaritëse, ky kupton shpirtin e numrit. Popujt e Lindjes i japin rëndësi kaligrafisë. Ne s’para e kuptojmë që shkrimi ka shpirtin e vet. Gjithë popujt e vjetër e kanë konsideruar shkrimin një gjë të ardhur nga yjet. Ne kemi njerëz që e dinë çfarë është muzikaliteti i germës, por ne përdorim vetëm shkrimin komunikativ”.



