
Piktura dhe makina luksoze, por edhe trofeu i Eurovision 2022 dhe bluza ikonike e Volodymyr Zelensky ngjyrë ushtarake.
Në shkrim sjellim disa nga objektet e nxjerra në ankand muajt e fundit, falë të cilave janë mbledhur mbi 2.5 milionë dollarë për forcat e armatosura të Ukrainës dhe për dhënien e ndihmave humanitare për vendin.
Edicioni ukrainas i revistës Forbes ka hartuar një renditje të objekteve të shitura me çmimet më të larta. Në vendin e parë është mikrofoni i kristaltë i fituesve të Eurovision 2022, i grupit ukrainas Kalush Orchestra, i shitur për 900 mijë dollarë.
Në vendin e dytë renditet një pikturë nga ngjarjet në Çernobil nga artistja ukrainase Maria Prymachenko, e cila ka mbledhur 500 mijë dollarë.
Medalja e bronzit shkon për një Lamborghini Murcielago LP640, e shitur në Republikën Çeke për 351 mijë dollarë.
Në vendin e katërt, renditet sërish Kalush Orchestra, duke dhuruar kapelën rozë të liderit Oleh Psiuk për një ankand bamirësie, ku u mblodhën rreth 302 mijë dollarë të tjerë.
Një grup pullash përkujtimore që festojnë rezistencën e ushtarëve ukrainas në ishullin e gjarpërinjve u shitën për 137 mijë dollarë, ndërsa bluza me zinxhir e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, shoqëruar me një autograf, u shit për 102 mijë dollarë në një ankand në Londër.
Për të mbyllur renditjen e hartuar nga Forbes janë tre vepra arti.
Piktura e piktores amerikane Zhenya Gershman, fytyra e parë e luftës, një portret i mësueses Elena Kurilo, i përjetësuar në foto nga Wolfgang Schwan, mblodhi 100 mijë dollarë për Kryqin e Kuq të Ukrainës.
Ndërsa veprat CND Soldiers nga Bansky dhe So Far, So Close e artistit spanjoll Pejac u shitën përkatësisht për 92 mijë e 45 mijë dollarë.



