
Themeluesi i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, do të dalë sot para Kongresit amerikan, në një seancë dëgjimore për përgjegjësinë e tij lidhur me përdorimin e të dhënave të 87 milionë përdoruesve.
Si raportojnë mediat, Zuckerberg pritet të pranojë përgjegjësinë. “Ishte gabimi ime dhe për këtë kërkoj falje. E kam themeluar “Facebook”-un, e drejtoj vetë dhe jam përgjegjës për atë që ndodh me të”, thuhet në dëshminë e themeluesit të rrjetit social.
Seanca dëgjimore e Zuckerbergut do të zhvillohet sot në Komisionin e Tregtisë në Senat dhe do të vijojë më tej në Komisionin e Tregtisë në Dhomën e Ulët.
Mediat amerikane kanë shpërndarë tekstin e dëshmisë me të cilën Zuckerbreg pritet të hapë fjalën e tij. Fjala e tij do të nisë me pranimin e gabimit, kërkimin e faljes dhe marrjen e përgjegjësisë për të vijuar më tej me një shpjegim nga këndvështrimi i drejtuesit të “Facebook”-ut në lidhje rastin e “Cambridge Analytica” dhe ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Për të gjitha këto, Zuckerberg do të përgjigjet edhe në lidhje me mënyrën si do të procedohet tani e tutje.



