Vetëm pak ditë më parë përfundoi në Tiranë panairi i librit. Për bilancin e tij të ftuar në MCN Informacion kanë folur Botuesi Rexhep Hida, nga Shtëpia botuese Fan Noli, Aida Baro nga Pegi dhe Albana Kapxhiu, kryeredaktore e shtëpisë botuese “Mediaprint”.
Ata u shprehën se ky panair është kurorëzimi i punës së vitit për të gjithë botuesit, ndërsa theksuan se pavarësisht se ka rezultuar brenda pritshmërive keqardhje është që moshat e reja kryesisht adoleshentët nuk dëshirojnë më të lexojnë.
Sipas tyre kjo është një këmbanë alarmi dhe duhet të veprohet, sepse vetëm nga leximi mund do ngrihej niveli kulturor dhe sjelljes së të rinjve duke shmangur kështu dhe konfliktet mes tyre.
Rexhep Hida:
Të gjitha shtëpitë botuese e mbështesin veprimtarinë e saj në përzgjedhjen dhe përkthimin e titujve të rinj dhe veprimtarinë e pjesëmarrjes në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Dhe panairi i librit është kurorëzimi i një pune një vjeçare për ne. Ka dhe panaire të tjera, por panairi i Tiranës ka fatin që bëhet në fund të vitit dhe botuesit kanë mundësi të bëjnë një bilanc të suksesit të vitit.
Adoleshenca ka një fazë zmbrapsje për dëshirën për të lexuar, kërkesa e tyre e ulët për të lexuar më shumë se sa te fitimi ka të bëjë me shoqërinë sepse leximi ka të bëjë me një shoqëri për të ecur para sepse kush lexon fluturon në të kundërt zvarritet.
Pikërisht kjo zmbrapsje nuk tregon modernizim, por është njëfarë rezultati i asaj shoqërie demokracie që kënaqen pas shkëlqimit të vitrinës dhe jo përmbajtjes. Nëse do ngrihej niveli kulturor dhe sjelljes së të rinjve mund të kishte dhe më pak mosmarrëveshje, konflikte dhe vrasje. Të rinjtë priren më tepër pas dukjes dhe mburrjes dhe ky është një shqetësim.
Përgjithësisht problemi i moshës për librin është global, por andej merren masa të organizuara, kurse tek ne financimi i librit në rastin më të mirë është 1% jo si në Itali, Gjermani etj që financohet deri në 90%. Leximi është kulturë e veçantë, nivel inteligjence.
Aida Baro:
Është një kontakt i bukur ai me lexuesit. Adoleshentët vura re se tregojnë njëlloj indiference ndaj leximit nuk duan të lexojnë më dhe ky është një shqetësim i madh, duhet ngritur si alarm dhe ata që lexojnë lexojnë në anglisht dhe pjesa më e madhe i kërkuan librat në anglisht. Kjo është një kambanë alarmi që leximi po tjerret nga dita në ditë, pastaj sa i përket fitimit të shtëpisë botuese është tjetër gjë sepse tre ditët e para njerëzit mezi sa e morën vesh hapjen e panairit në fundjavë pati më shumë lëvizje, por me të mira apo të këqijat e veta mësuesit i kanë sjellë nxënësit në panair, është gjë e bukur dhe pse e shohin më shumë si ekskursion. Por problemi më i madh është nga 12 vjeç deri 17 vjeçare që refuziojnë të blejnë një libër.
Unë e ndjek shumë Italinë duke qenë se jam dhe përkthyese dhe qendra kombëtare e librit aty hap konkurse të ndryshme për projekte mbi zhvillimin që nga fëmijët e klasës së parë deri te ata para universitet. Kjo bënë një punë të mirë për edukimin për leximin, një punë e madhe për bibliotekat.
Këto biblioteka duhet të bëjnë aktivitete, lexime me nxënësit, të bëhen mënyra të ndryshme për ta afruar fëmijën te leximi sepse një fëmijë që ka lexuar deri në klasën e 4-5 pavarësisht se mund të ketë shkëputje vëmendje prapë do ta dojë leximin sepse është një nevojë mendore, shpirtërore, njëlloj qetësie që e gjen aty te leximi.
Albana Kapxhiu:
Panairi ka rezultuar brenda pritshmërive. Nga ana financiare dua të them se ishte pozitive, por problematikë ishte pikërisht mos leximi i të rinjve, pastaj nëse autori është shqiptar ne tërhiqemi. Na ka bërë përshtypje dhe harta e prindërimit ka ecur por jo aq sa ne e prisnim.
Pastaj përvoja me fëmijët ka qenë shumë e bukur ne kemi ftuar shumë fëmijë me autorë të ndryshëm që kanë folur për librat e tyre dhe kjo ka qenë e bukur. Ne jemi përpjekur që të promovojmë dhe lexuesit e rinj gjatë këtij panairi veçanërisht, por duhet të ketë dhe një mbështetje nga shteti për të realizuar këtë.
Shtëpia botuese mediaprint gjatë të gjithë vitit promovon shumë dhe autorët shqiptarë duke bërë vizita në shkolla të ndryshme me shumë nga librat tanë, por fatkeqësisht kemi parë se në disa nga shkollat e Tiranës ku jemi përqendruar më shumë janë për të ardhur keq dhe ne shohim se fëmijët kanë dëshirë të lexojnë, por nuk kanë libra.



