Babai i Marjan Kolës- i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka- në një deklaratë për mediat tha se djali i tij mbrëmjen e vrasjes ka qenë në Kosovë.
Dedë Kola 87-vjeç tha për mediat se djali i tij Marjan Kola mbrëmjen e vrasjes, më 29 nëntor, ka qenë në Kosovë. Atje ai ndodhej bashkë me autorin e dyshuar, Kristjan Kelmendi, ndërsa thotë se kanë shkuar për qejf, për të blerë disa rroba.
Dedë Kola shprehet se djali i tij nuk ka asnjë lidhje me vrasjen dhe madje thotë se vetëm pak minuta para vrasjes ai ka qenë në një poligon qitjeje në Kosovë, ku ka qëndruar deri në orën 18:20, momenti kur ka ndodhur vrasja në Shkodër.
87-vjeçari shprehet se nuk kanë patur kurrë probleme dhe janë një familje që kanë dhe dëshmor.
Po ashtu dhe vëllai i Marjan Kolës, Petrit Kola shprehet se vëllai i tij nuk ka asnjë lidhje me vrasjen dhe ndodhej në Kosovë në momentin që ka ndodhur ngjarja në Shkodër. Familjarët e 53-vjeçarit kërkojnë drejtësi dhe lirimin e Marjan Kolës pasi sipas tyre nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ish-deputetit.
Ndërkohë aktualisht sot në orën 11:00 do të jepet masa e sigurisë për autorin e dyshuar dhe bashkëpunëtorin e dyshuar.



