
Nënave me tre fëmijë ose më shumë do të përfitojnë mbështetje nga qeveria në formën e kontributit shoqëror dhe shëndetësor.
Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se ndër vendimet e marra sot është edhe njohja si vjetërsi pune e pesë viteve të para të kujdesit për fëmijën e tretë.
Manastirliu tha se një masë e tillë është parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Manastirliu tha se në buxhetin e vitit 2023 është parashikuar mbështetja e nënave të papuna me tre e më shumë fëmijë, të cilat kanë të ardhura familjare mujore deri në 100 mijë lekë të vjetra.
Të gjitha gratë me 3 ose më shumë fëmijë, të cilat njërin prej fëmijëve e kanë deri në 5 vjeç dhe të ardhura familjare mujore nuk i kalojnë 100 mijë lekë. Është një politikë sociale për nënat që synon të njohë si vite pune kujdesin për fëmijën në 5 vitet e para të jetës së tyre. Do t’i njihen si kontribute shëndetësore dhe shoqërore dhe do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Konsiderohet politikë e qëndrueshme. Përllogaritet që për vitin e parë, kjo mbështetje të reflektohet në buxhet në masën 600 milionë lekë.



