
Rreth 50 emigrantë u zhdukën pasi varka e tyre u përmbys rreth 100 kilometra në jug të ishullit Kanarie të Spanjës El Hierro në Oqeanin Atlantik, njoftuan mediat spanjolle të hënën.
Shërbimi kombëtar i shpëtimit detar tha se një nga helikopterët që shkoi në ndihmë shpëtoi nëntë persona të cilët u gjetën të kapur pas varkës të hënën në mëngjes pas një telefonate nga një anije tregtare.
Agjencia shtetërore e lajmeve Efe tha se sapo u transferuan në aeroportin El Hierro, emigrantët e shpëtuar raportuan se 60 prej tyre ishin nisur nëntë ditë më parë dhe se varka prej druri shfaqi probleme të shtunën.
Shërbimi i shpëtimit nuk saktësoi dot se sa njerëz mund të ndodheshin në varkë.
Efe raportoi se emigrantët ishin me origjinë sub-Sahariane, pa dhënë detaje se nga cili vend kishin lundruar.
Dhjetëra mijëra emigrantë nga vendet sub-Sahariane që ikin nga varfëria, konflikti dhe paqëndrueshmëria në Afrikën Perëndimore përpiqen të arrijnë në Spanjë çdo vit me anije.
Shumica shkojnë me anije të mëdha të hapura në Ishujt Kanarie në Atlantik, ndërsa të tjerët nga Maroku, Algjeria dhe vendet e Lindjes së Mesme përpiqen të kalojnë Detin Mesdhe dhe Oqeanin Atlantik për në Spanjën kontinentale. Disa mijëra vdesin duke bërë udhëtimin e rrezikshëm.
Ministria e Brendshme thotë se 16.621 emigrantë mbërritën në Spanjë me anije nga 1 janari deri më 15 prill, me 11.681 më shumë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.



