Miliarderi Pavel Durov, themeluesi i aplikacionit të mesazheve Telegram, akuzoi të dielën inteligjencën franceze se i ka kërkuar atij nëpërmjet një ndërmjetësi të censuronte disa zëra moldavë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, në këmbim të ndihmës me çështjen e tij gjyqësore në Francë.
Parisi nuk ka komentuar në lidhje me pretendimet e Durov, i cili u arrestua në vitin 2024 në një aeroport francez. Në reagimin e tij në platformën “X” Durov i konsideroi kërkesat e shërbimeve franceze të inteligjencës si “të papranueshme”, ndërsa paralajmëroi publikimin e të tjera denoncimeve.
“Rreth një vit më parë, ndërsa isha i bllokuar në Paris, shërbimet franceze të inteligjencës më kontaktuan përmes një ndërmjetësi, duke më kërkuar të ndihmoja qeverinë moldave të censuronte disa kanale në Telegram përpara zgjedhjeve presidenciale në Moldavi.
Pas shqyrtimit të kanaleve të raportuara nga autoritetet franceze (dhe moldave), identifikuam disa që shkelën qartazi rregullat tona dhe i hoqëm ato. Më pas, ndërmjetësi më informoi se, në këmbim të kësaj bashkëpunimi, inteligjenca franceze do të “fliste mirë” për mua te gjykatësi që kishte urdhëruar arrestimin tim në gusht të vitit të kaluar.
Kjo ishte e papranueshme në disa nivele. Nëse agjencia me të vërtetë i ishte drejtuar gjyqtarit, kjo përbënte një përpjekje për të ndërhyrë në procesin gjyqësor. Nëse nuk e kishte bërë dhe vetëm kishte pretenduar një gjë të tillë, atëherë po shfrytëzonte situatën time ligjore në Francë për të ndikuar zhvillimet politike në Evropën Lindore, një model që e kemi vërejtur edhe në Rumani.
Shumë shpejt pas kësaj, ekipi i Telegram mori një listë të dytë të ashtuquajturash kanale moldave “problematike” . Ndryshe nga lista e parë, pothuajse të gjitha këto kanale ishin legjitime dhe plotësisht në përputhje me rregullat tona. E vetmja gjë e përbashkët mes tyre ishte se shprehën qëndrime politike të papëlqyera nga qeveritë franceze dhe moldave.
Ne refuzuam të veprojmë lidhur me këtë kërkesë.
Telegram është i përkushtuar ndaj lirisë së fjalës dhe nuk do të heqë përmbajtje për arsye politike. Do të vazhdoj të ekspozoj çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi Telegram që të censurojë platformën tonë. Qëndroni të përditësuar”.



