
Më 7 nëntor vjen në kinematë e Tiranës filmi “Emili”.
Regjisorja Ajola Daja tregoi në studion e MCN Informacion se “Emili” do të sjellë një histori të zakonshme, një histori dhune, për të cilën duhet të flitet në shumë forma
“Emili” do të sjellë një histori të zakonshme, një histori dhune, për të cilën unë mendoj se duhet të flasim në shumë forma. Bëhet fjalë për dhunën në familje. Nuk jam fokusuar tek dhuna si akt, por çfarë ndodh pas aktit. Historia nuk përfundon aty, nuk përfundon me dënimin e burrit dhunues. Historia nis kur gratë e dhunuara, do duhet të rilindin veten nga fillimi dhe duhet ta gjejnë veten në një botë të ndryshuar. Historia flet për përballjen e dy grave të shtëpisë dhe djali të vogël. Roli kryesor është Emili nga Arta Dobroshi e cila përballë ka aktoren Luzia Xhuvani, që luan rolin e vjehrrës.
Emili ka një qëllim shumë të qartë, do të rinisë vetveten, të marrë djalin dhe të largohet. Yllka ka dilema të madha, se nga njëra anë e kupton Emilin, por nga ana tjetër është nënë. Është personazh shumëdimensional që kam dashur ta sjell me ngjyra të ndryshme dhe pa e gjykuar.
Përballë kemi bashkëshortin dhunues, aktorin Lulzim Zeqjan me të cilin kam pasur një raport shumë të mirë, ashtu si me të gjithë kastin.
Aktori Lulzim Zeqja tha që “Emili” është film i ndjeshëm dhe se beson se do të pritet shumë mirë nga publiku.
Bashkëpunimi erdhi rastësisht. Me Ajolën njiheshim në distancë, por kurrë nuk kishim bashkëpunuar. Më sjell një skenar, më tha do t’i hedhësh një sy. Kur e lexova më pëlqeu shumë. E gjeta të veçantë se sot në kinemanë shqiptare janë shumë pak angazhimet në jetën publike të regjisorëve për tema të caktuara që prekin shoqërinë. Tema që Ajola merret në film është mbi dhunën ndaj femrës, dhe më pëlqeu shumë. E lexova, e marr në telefon dhe i them më pëlqeu shumë. “Do ta xhirojmë?” më tha. Ajola është lodhur shumë se me fonde të pakta, por Ajola ka bërë punë të mira. Aktoret janë shumë të mira. Jam i sigurtë që publiku do ta presë shumë mirë. Është film goxha i ndjeshëm, ka ndjeshmërinë e një femre.



