Presidenti i ri çek Petr Pavel tha se Ukraina duhet të lejohet të bashkohet me NATO-n sapo të përfundojë lufta. Pavel, një ish gjeneral i NATO-s, tha se Ukraina do të ishte “moralisht dhe praktikisht e gatshme” për t’u bashkuar me aleancën perëndimore.
Ai vlerësoi mbrojtjen ushtarake perëndimore për Kievin, duke thënë se nuk duhet të ketë “pothuajse asnjë kufi” për atë që vendet duhet të dërgojnë armë. Më tej, ai tha se dërgimi i avionëve luftarakë si F-16 për të nuk ishte “tabu”.
Presidenti i SHBA Joe Biden e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të F-16 këtë javë, megjithëse Emmanuel Macron ka thënë se asgjë nuk përjashtohet.
“Jam krenar që vendi im është një nga të parët që i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake”, tha ai për BBC.
Republika Çeke ishte vendi i parë perëndimor që dërgoi tanke dhe mjete luftarake – T72 dhe BMP1 në Kiev, pjesë e një serie dërgesash të armëve të rënda që thuhet se filluan që në mars 2022.
Pothuajse një vit më vonë, vendet duke përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë kanë filluar t’u përgjigjen thirrjeve të përsëritura të Kievit për të dërguar tanke moderne, të prodhimit perëndimor si Leopard 2s, Challenger 2s dhe M1 Abrams.

Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe thotë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do të dërgojë të paktën 120. Por gjenerali Pavel tha se shpresonte që kjo të përshpejtohej - veçanërisht nëse Rusia nis ofensivën e saj të pritur pranverore.



