48-vjeçari nga Librazhdi Dashnor Balliu, ka marrë përsipër të lërë shenjë nëpër botë. Ai ndihet mëse i fuqishëm për të sfiduar “veten” duke shëtitur me motorin e tij Suzuki, mbi 214 shtete të botës.
Në një event të mikut të tij në Itali, edhe ai shqiptarë, i cili kishte thyer rekordin e guinnes-it me pregatitjen e picave në kohë rekord, Dashnori shfrytëzoi rastin të njihet dhe të fliste me gazetarët e Guinnes për qëllimin e tij.
Dashnor Balliu kërkon të përshkoj globin me motorin e tij, duke u bërë kështu shqiptari i parë në botë në sfidën e këtij lloji.
Ai e ka nisur tashmë këtë sfidë më 6 gusht të këtij viti, nga vendlindja e tij, dhe sipas tij, ky rrugëtim do të zgjasë plot katër vjet, duke shkelur në mbi 214 shtete. Në ditarin e tij ai ka shkruar rregullat e këtij ‘‘sporti‘‘ të cilat nuk duhen shkelur në asnjë rast.
Dy prej tyre, të njohura tashmë edhe nga autoritetet e Guinness janë:
1- Nuk mund të ndërroj motorin me të cilin ai ka nisur tashmë këtë sfidë pasi e ka regjistruar atë me numër shasie. Atij i lejohet vetëm të bëj riparime të këtij mjeti.
2- Nuk mund të strehohet dhe të pushoj nëpër hotele, bujtina, hane e të tjera, vetëm në rast se dikush, një mik apo dashamirës i tij mund ta ftoj atë për një darkë apo drekë. Z. Balliu i ka vënë qëllim vetes që brenda këtij katër vjeçari, të endet nëpër botë dhe sa herë mund të ketë nevojë të dremisë apo të pushojë do të strehohet vetëm në tendën e tij që ai e ndërton fare lehtë.
Sipas Dashnor Balliut, motori sot për të është edhe një shtëpi, një mik i shtrenjtë me të cilin është lidhur fort shpirtërisht. Në të ai ngarkon çdo gjë që i duhet për rrugëtimin deri në fund të sfidës me qëllim për tu shënuar edhe ai në librin e rekordeve.
Deri tani ai ka mbi 50 ditë që endet rrugëve me mjetin e tij dhe ka bërë rreth 670 kilometra.



