Gazetari shqiptar në Greqi, Etmond Guri, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se mungesa e Ramës në takimin me liderët Ballkanin në Athinë dhe vizita e Zelensky-t, janë në fokusin e mediave vendase. Guri u shpreh se përmes nismave të tilla si Samiti i Athinës, Greqia kërkon të rikthejë lavdinë e dikurshme, si vendi që bënte “komandën në Ballkan”. Sipas gazetarit minoriteti grek gëzon të drejta të fuqishme në raport me komunitetin shqiptar në Greqi që nuk ka fituar reputacionin dhe ndikimin e duhur.
“Është hera e parë që të paktën në dekadën e fundit të bëhet një takim i tillë i nivelit të lartë në Athinë. Greqia me këtë nismë kërkon të rikthejë lavdinë e dikurshme, atë që ajo quhej vendi që bënte komandën në Ballkan. Mistotakis ka mbledhur gjithë shtetet e Ballkanit për të rikthyer lavdinë e dikurshme të viteve 90’ apo të viteve 2000 dhe Greqia të marrë siparin që është vendi më i fuqishëm dhe që është kthyer në një fuqi rajonale, duke qenë ajo që rekomandojë apo orientojë politikat në këto vende. Ajo që është për t’u theksuar është habi që i vetmi vend që mungon është Shqipëria, që jo pak ka rolin e saj, ndonëse është një vend i vogël të paktën në rajonin e Ballkanit. Në spektrin diplomatik çështjet janë shumë më të ndërlikuara dhe më ndryshe nga ç’paraqiten në opinion. Parë në spektrin politik dhe atë social, fatkeqësisht ai social s’ka pasur gjithmonë rëndësinë e duhur për të përforcuar atë diplomacinë dhe politikën midis dy vendeve. Ndërkohë që minoriteti grek gëzon të gjitha të drejtat dhe është i fuqishëm, dhe është aty prezent dhe aktiv në të gjitha sferat e jetës, ndërkohë komuniteti shqiptar në Greqi është i dobët, që s’ka arritur të fitojë atë ndikimin e duhur, apo reputacionin që i takon, edhe pse ka tre dekada në Greqi. Nga ana tjetër, nga ajo politike, fatkeqësisht është punuar fuqishëm nga mediat, ekstremi i djathtë, që elementë të tillë të dominojnë politikën mes dy vendeve.
SYRIZA aktualisht ndodhet në situatë ndryshimi dhe mundohet të ruajë profilin e saj të një progresiste të majtë, që mundohet të ruajë frymën ndryshe në parti, ndërkohë që në Demokracinë e Re, mendimi i ndryshëm është i pakët, ose nuk ekziston. Flamuri i Demokracisë së Re kanë qenë temat kombëtare, si me Turqinë, ose rasti Beleri”, tha ai.
I pyetur mbi vizitën e liderit ukrainas në Athinë gazetari shtoi: “Zelensky pritet të mbërrijë në Greqi, nuk kam informacion nëse do të mbajë fjalim në Parlament. Radhën e kaluar iu drejtua Parlamentit dhe opozita dhe forcat ekstremiste e përdorin për benefitet e tyre dhe kjo ngjalli shumë reagime. Mendoj që këtë radhë diplomacia greke do jetë me e kujdesshme, do fokusohet te fuqia e saj si fuqi rajonale. Rama mbetet epiqendra e pjesës së madhe të medias, edhe vizita e Zelensky-t në Athinë”.



