Një nga pengesat më të mëdha për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë është besimi i Vladimir Putin se Rusia mund të rezistojë më shumë sesa ne. Kështu tha sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Nju Jork. Kreu i diplomacisë nënvizoi rëndësinë e një plani afatgjatë për Ukrainën, për rindërtimin dhe sigurinë e saj, në mënyrë që ajo që ndodhi tani të mos përsëritet më në vitet e ardhshme. Në lidhje me kryengritjen e Wagner-it, ai tha: Prigozhin është si Putini, ai që ka kryer mizori të tmerrshme në Ukrainë, në Afrikë dhe në Siri. Kudo që shkoi Wagner, pasuan vdekjet, shkatërrimi, shfrytëzimi. Blinken përsëriti gjithashtu se revolta e dështuar e Prigozhin është një problem i brendshëm rus dhe se kapitulli i fundit ende nuk është shkruar.



