
Bashkimi Evropian intensifikon mbështetjen ndaj Maqedonisë për referendumin e 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë, e cila parasheh zgjidhjen e kontestit të emrit dhe rrjedhimisht zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pritet të mbërrijë sot në Shkup, ndërsa të premten kancelari austriak, Sebastian Kurz. Të shtunën, në kryeqytetin maqedonas do të mbërrijë kancelarja gjermane Angela Merkel, vizita e së cilës shihet si historike për autoritetet e Maqedonisë.
Kryeministri Zoran Zaev i sheh vizitat e kësaj jave si një mbështetje për rrugëtimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.
“Ardhja e tre liderëve botërorë është mirënjohje për Maqedoninë, sinjal pozitiv. Ata po na e shtrijnë dorën që të ecim përpara”, është shprehur Zaev.



