SPAK ka nisur verifikimin për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla, pasi Italia ka sjellë dosjen në ngarkim të tij dhe të afërmeve të tij, raporton gazetari Arsen Rusta.
Në lidhje me transaksionet e dyshimta prej 1,5 milionë euro, pala italiane kërkon që drejtësia shqiptare të verifikojë pasuritë e Memollës dhe çdo lidhje të tij.
Paratë dyshohen se janë përfituar nga trafiku i drogës, ose nga korrupsioni dhe abuzimi me detyrën.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live bën me dije:
Vetëm një ditë më parë ministria e Drejtësisë italiane në mënyrë urgjente, nëpërmjet një dosjeje prej 10 faqesh, ka kërkuar nga autoritetet shqiptare, e përkatësisht Prokuroria e Posacme duke dorëzuar dosjen, dhe ka kërkuar një verifikim të thelluar për kryebashkiakun në detyrë të Rrogozhinës Edison Memolla. MCN Live është interesuar pranë palës italiane dhe rezulton që në provincën e Periuggias, që qytezën e Nocera Umbra, kryebashkiaku Memolla dhe familjarët e tij kanë një kompani. Një transaksion në kuotën 1,5 milionë euro ka alarmuar palën italiane për origjinën e parave. Këto para janë bllokuar tashmë në Itali dhe kërkohet të dihet origjina e mundshme. Dyshime janë se mund të kemi të bëjmë me para që vijnë nga trafiku i lëndës narkotike por edhe korrupsioni, abuzimi me detyrën. Dyshohet se pjesë e transaksioneve është edhe bashkëshortja e kryebashkiakut që ka një rezidencë në Itali. Në shpjegimin e transaksionit që pala italiane ka sekuestruar në mënyrë preventive, rezulton se është transaksion nga një kompani ndërtimi, që janë të afërm të kryebashkiakut.
Aktualisht Memolla është person në gjykim në gjendje të lirë për akuzën e korrupsionit zgjedhor. Rezultoi se në këmbim të votave ai u paguante banorëve faturat e prapambetura të energjisë elektrike.



