
Është hedhur sot për diskutim plani i ri i Ministrisë së Kulturës për menaxhimin e parkut arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit. Arkeologu Skënder Muçaj tha në studion e MCN TV se Bylisi i ka të gjitha mundësitë për t’u kthyer në qendër të rëndësishme edhe për turizmin.
Panorama është e rrallë, ka një lartësi dhe shikueshmëri në të gjithë territoret dhe është qyteti që është gërmuar më shumë në të gjithë Shqipërinë.
Monumentet janë të lehta për t’u restauruar në Bylis. Nuk ka shumë shpenzime. Do të lartësohen muret, gjë që nuk kushton. Këto do të bënin që monumentet të duken shumë mirë. Por muzeu është domosdoshëmri. Sepse do të përfaqësojë qytetërimin antik të ilirëve. Bylisi në shekullin 3 p.e.s. ka qenë qytet i pasur, me një banesë 900 metër katrorë. Nëse ngrihen një çikë dhe shihen mirë me sy, do të jetë një gjë e rrallë për turizmin. Janë gërmuar kisha të mëdha. Muzeu e do që të jetë një muze përfaqësues.
Muçaj e vuri theksin te domosdoshmëria e një muzeu arkeologjik në qendrën antike të Bylisit.
Plani i menaxhimit fokusohet si do të veprohet me monumentet. Ka mozaikë të zbuluar, shumë të pasur me motive, shumë të bukur. Po ashtu, të ngrihen monumentet në lartësi. Puna ishte cilat monumente do i nënshtrohen restaurimit, si do lidhet Bylisi me Klosin dhe me të tjerat, pra e parë në planin turistik.
Një pikë e rëndësishme veç monumenteve ishte edhe muzeu arkeologjik. Është e vështirë në Shqipëri, kur flitet për muze arkeologjik.
Sipas tij, përvoja ka treguar se administrimi i parqeve arkeologjike nuk është bërë si duhet as nga shteti dhe as nga privati.
Nuk është gjetur rruga e përshtatshme për administrimin e parqeve arkeologjike në Shqipëri. Kjo ka ndodhur sepse administrata publike dhe private kanë marrë huqet e njëra-tjetrës dhe menaxhimi nuk bëhet mirë. Unë kam rreth 50 vjet në këtë profesion dhe shoh që administrata është më pak e vëmendshme për parqet arkeologjike.
Fillon që te paga. Nëse është i specializuar, atëherë ai pagën e ka të ulët. Atëherë ai sheh burime të tjera. Zgjedh të bëjë guidën p.sh. Pra, nëse nuk e ke punonjësin në park, çfarë rezultati pret.
Kur e kemi diskutuar, ne ishim specialistë të arkeologjisë. Por ne dimë se menaxhimi nga privatët ka dështuar. Kjo ka ndodhur edhe jashtë. Por edhe menaxhimi nga administrata publike ka pasur të njëjtin fat. Pra, nuk mund të flasim kush mund të jetë i suksesshëm e kush jo.
Muçaj solli rastin e Butrintit, i cili sipas tij la në hije monumente të tjera në zonë.
Butrinti është në Kushtetuese. Në Sarandë ne shikonim vetëm Butrintin. Çfarë solli? Sillte të ardhura më shumë se çdo qendër tjetër në Shqipëri. Por tërë turizmi përqendrohej në Butrint dhe monumentet më të rëndësishme në zonë liheshin pas dore. Kemi monumentin e 40 shenjtorëve që nuk e kemi shfrytëzuar akoma. Kemi manastirin e Mesopotamit. Mund të bëhen atraksione me pak shpenzime.



