Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër Unionin e Gjykatësve për ankimimin në Gjykatën Kushtetuse të vetingut. Gjatë një takimi me banorë të Delvinës, Rama i quajti ata llumi i llumit.
“U kisha thënë para katër vitesh nuk i hymë dot betejës për të bërë shtet këtu po nuk pastruam pallatin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Ata janë llumi i llumit, po nuk u hoq ai llum nuk bëjmë dot shtet.Duhet vizion, vendosmëri dhe kokëfortësi shqiptarçe dhe punë”.
Rama solli shembullin e një prokurori të pasur, i cili kishte 8 shtëpi dhe të gjitha ta dhuruara.
“I patë ata Unioni i Gjykatësve, vajtën në Gjykatë Kushtetutese si skutha, ne këtej në fushatë ata si skutha në Kushtetuese për të rrëzuar pikën themelore të vettingut. Vettingu tre gjëra ka: E para pasuritë si i ke vënë, nuk e di nëse e patë një prokuror para ca ditësh, 8 shtëpi i kishte. Njeri më me fat në këtë botë, që edhe vjehrra e ka dashur aq shumë sa i ka falur një shtëpi, edhe xhaxhai, edhe një komshi. Këtij njerëzit vetëm shtëpi i falnin. Ky njeri me fat të madh. Do të shkojë tek vettingu dhe do të shpjegojë ku i gjeti këto shtëpi dhe pastaj do kontrollohet ka pasur vjehërr apo jo, e donte vjehrra apo nuk e donte, ka pasur motër në Australi apo nuk ka. Ka motra lekë atje që ti japë shtëpinë? Pse ja dha.E dyta kanë apo nuk kanë lidhje me krimin.Këtë tani e çojnë në Gjykatë Kushtetuese, nuk duam ne të kontrollohemi kemi apo nuk kemi lidhje me krimin se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, pse na paragjykoni?Po si, nëse nuk ke lidhje me krimin aq më mirë akoma, kontrollu dhe del i pastër.Është një reformë që do ta çojë frikën në palcë e korrupsionit dhe ne nuk i ndahemi, por që të mos i ndahemi duhet të na jepni fuqi. Duhet të na jepni fuqi që jo të kemi timonin e pushtetit për të çuar makinën e pushtetit nëpër arat e babait, por të na jepni fuqi që të mos na kërcënojnë të tjerët që të na hedhinn në humnerë duke tundur timonin”, tha ai.



