
Akademiku Anastas Vangjeli thotë se ligji i Amnistisë Fiskale, për të cilin po punon qeveria nuk është i plotë dhe nuk duhet të kalojë. Në intervistën për TvT, Angjeli thotë se duhet të plotësohen tre kushte thelbësore për këtë ligj, ndaj qeveria duhet ta tërheqë.
"Së pari unë e kam thënë se një ligj i tillë të quhet i plotë duhet të plotësohen tre kushte.
E para, kushti që të ketë konsensus politik, që do të thotë të mos mjaftohemi me vullnetin e maxhorancës, por me të gjitha forcat e tjera. Qoftë në Parlament apo edhe jashtë saj. Për shkak të rëndësisë që ka ky ligj, duhet edhe një unanimitet.
E dyta është kushti që ka të bëjë me plotësimin e kërkesave që kanë paraqitur faktorët e interesit, në Komisionin e Ekonomisë, në diskutimet paraprake. Kjo pasi edhe ato kanë interesat e tyre.
E treta, Shqipëria për një sërë ligjesh të rëndësishme fiskale ka patur mbështetjen politike dhe teknike të ndërkombëtare, nga fondi ndërkombëtar, nga vendet e Bashkimit Europian, Këshilli i Europës, SHBA, organizma që luftojmë krimin ekonomik.
Pa këto të treja nuk do të ketë amnisti fiskale", u shpreh ai.



