
Kryeministri Edi Rama ka vizituar sërish mëngjesin e sotëm familjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra nga një efektiv i Forcave Shqiponja, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.
Kjo vizitë e kreut të qeverisë vjen një ditë pasi qeveria akordoi një pension special për këtë familje. Babai i 25 vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha e cilësoi këtë veprim si vrasje për herë të dytë të të birit. Në vendimin e qeverisë thuhej se kjo vrasje ishte aksidentale, ndërkohë që babai i Klodianit, Qazim Rasha e ka cilësuar një vrasje të dytë këtë vendim të qeverisë.
“Ajo nuk është version, ajo është devijim nga gjithçka dhe ajo është një vrasje për së dyti. Vrasje e dytë. Ajo është vrasje me paramendim. Vrasje me paramendim. Vrasje me paramendim. Dhe nuk ka asnjë lloj alibie”, ka thënë një ditë më parë Qazim Rasha.
Ndërkohë që fill pas këtyre deklaratave, kreu i qeverisë ka shkuar pranë familjes së Klodian Rashës, ndërkohë që takimi është mbajtur larg vëmendjes së medias.




