
Transmetuesi izraelit “Kan” raportoi se Izraeli ka siguruar vendet arabe të rajonit se përgjigja e tij ndaj sulmit të Iranit në ditët e fundit nuk do t’i vendosë në rrezik.
Sipas asaj që u zbulua nga “Kan”, Izraeli ka njoftuar aleatët e tij si Jordania, Egjipti dhe vendet e Gjirit, se përgjigja e tij, kur të ndodhë, do të kryhet në atë mënyrë që Irani të mos i përfshijë ata në hakmarrje.
Të shtunën e kaluar, Irani kreu një sulm me rreth 300 raketa dhe drone kundër Izraelit, 99 për qind e të cilave u kapën dhe u rrëzuan.
Mbrëmë, Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) Herzi Halevi tha se Izraeli do t’i përgjigjet sulmit iranian, duke shtuar se shteti hebre është ende duke vlerësuar se çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë, por sulmi “do të ketë një përgjigje”.
Më parë, zyrtarët izraelitë thanë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Jordania kishin ndihmuar në kapjen e breshërisë masive të dronëve që Irani kishte nisur në Izrael ditët e fundit.
Nga ana e saj, qeveria jordaneze kishte publikuar një deklaratë, duke shpjeguar se kishte përgjuar disa “pajisje fluturuese” të cilat hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë sulmit iranian kundër Izraelit, për të garantuar sigurinë e qytetarëve të saj.
Sipas asaj që mësohet nga deklarata e Amanit, disa copëza kishin rënë në disa vende “pa shkaktuar dëme të konsiderueshme apo lëndime në qytetarët”.
“Forcat tona të Armatosura do të përballen me çdo gjë që mund të rrezikojë sigurinë e atdheut dhe qytetarëve të tij dhe shenjtërinë e hapësirës ajrore dhe territorit të tij”, thuhet në deklaratë.
Qeveria jordaneze u kërkoi më pas të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje, duke thënë se përshkallëzimi do të ishte i rrezikshëm.



