Sot dhe dje është zhvilluar në Tiranë forumi ndërkombëtar i turizmit ku marrin pjesë përfaqësues nga 300 shtete të ndryshme të botës, i titulluar “FESTA”. Ekspertja e turizmit Flora Xhemani Baba duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV thotë se fakti që këtë javë po flitet vetëm për turizmin është një ogur i mirë për sezonin turistik në Shqipëri, por thekson se duhet të orientohemi nga cilësia. Xhemani Baba thekson se Shqipëria ose duhet të rrisë cilësinë e ofertës ose të rrisim shërbimin.
Më vjen mirë që ky Forum titullohet FESTA. ‘FESTA është akronimimi i turizmit të qëndrueshëm, tema kryesore e këtij Forumi. I paraprin një feste tjetër tre ditore që është Panairi i Turizmit. Kjo javë e plotë ku në Shqipëri flitet vetëm për turizmin s’mund të mos jetë veçse një ogur i mirë për gjithë sezonin turistik. Jemi përballë një realiteti të pamohueshëm që kërkesa e lartë për të pushuar në Shqipëri, edhe e turistëve e huaj s’vijnë vetëm për bregdetin por për të gjitha destinacionet që Shqipëria ofron. Mendoj që tashmë mund ta kanalizojë gjithë ofertën duke e shtyrë nga cilësia, një turizëm cilësor, me një kosto të konsiderueshme, që vjen vetëm përmes paketave të turizmit të qëndrueshëm”.
E pyetur mbi problematikat, ajo përmend si më kryesoren mungesën e stafit, të një kontingjenti që konsiderohet si profesionist. Një tjetër problematikë është cilësia e shërbimeve, ndërsa çmimet i konsideron të lira në raport me rajonin.
Kryesorja do jetë mungesa e stafit. Do ketë një problematikë të shtuar në këtë periudhë. Është një nevojë e vazhdueshme për staf. Kjo kërkesë të vazhdueshme për staf, që ka qenë edhe vitin e kaluar. Duke pasur parasysh ikjet e vazhdueshme nga Shqipëria të një kontigjenti që mund konsiderohen si staf profesionistësh, kjo do ndihet edhe në këtë sezon turistik. Ne kemi edhe problematikën e shpeshtë dhe të përhershme të mungesës së cilësisë në shërbim. Sjell problematika të shtuara. Sepse një pjesë shumë e mirë e atyre që zgjedhin të mos pushojnë në Shqipëri, por jashtë, ankohen për shërbimin, që nuk justifikon atë kosto që paguhet. Nuk kemi vetëm problematikën e çmimeve që na del në sezon. Çështjen e çmimeve të larta s’e kam quajtur asnjëherë problematikë. Përkundrazi mendoj që Shqipëria vazhdon të operojë me çmime të ulëta. Po të krahasosh çmimet tona më çmimet respektive të rajonit, Shqipëria vazhdon të jetë destinacion i lirë. Ose duhet të rrisin cilësinë e ofertës dhe për këtë të kërkojmë më shumë, ose të rrisim shërbimin! Ndikon ndjeshëm largimi i punëtorëve, sepse ikën një grup i kualifikuar. S’po flasim vetëm për vijën e parë, kamerierët, banakierët, kuzhinierët, menaxherët. Kërkesa e madhe tashmë e tregut s’i përgjigjet ofertës që tregu ka në këtë fushë, s’kemi mjaftueshëm kontigjent dhe staf”.
E pyetur nëse ka pasur investime për zgjatjen e sezonit turistik, ekspertja e turizmit shprehet:
Vazhdimisht në çdo sezon ndërtohen struktura të reja pritëse. Kanë standarde të larta të akomodimit dhe kapacitet të lartë. S’ka më hotele të vogla. Resortet po kapin 300-400 dhoma, sidomos në vijën e Adriatikut, ku është kërkesa më e lartë për turizmin masiv ose të bregdetit. Investimet s’i përgjigjen ofertës, në muajin korrik dhe gusht fluksi është i tillë sa është i papërballueshëm nga asnjë strukturë”.



