Tri ditë më parë, një vajzë 14-vjeçare u hodh nga kati i tretë i një pallati te Rruga e Dibrës, në Tiranë. Ngjarja që u raportua fillimisht si tentativë për vetëvrasje i tronditi banorët e lagjes. Nëna e vajzës ka rrëfyer ngjarjen në një intervistë për “Shekullin”. I. Qelibari thotë se të bijës i bie shpesh të fikët dhe kjo është pasojë e stresit që ajo ka përjetuar për shkak të sëmundjes së nënës.
Për atë çfarë ka ndodhur në të vërtetë, nëna 44-vjeçare nuk është vënë në dijeni, për shkak të gjendjes shëndetësore që ajo ndodhet. Ajo di që vajzës së saj, K. B., i ka rënë të fikët dhe jo të jetë hedhur nga kati i tretë i një pallati. I. Qelibari, thotë se vajza e saj 14-vjeçare është e ngarkuar shumë me stres. Sipas saj, K…. e vuan shumë gjendjen në të cilën ajo ndodhet, vuan nga skleroza e shumëfishtë.
“Zoti ma ka shpëtuar vajzën. Ajo mban shumë stres në vetvete, sepse më shikon mua në këtë gjendje që jam sot. Vajza më ka bërë për katër vite me radhë gjilpërat. Jam invalide, vuaj nga një sëmundje e rëndë. K….. më ka bërë të gjitha shërbimet. Ajo mërzitet shumë me mua dhe ka kaluar stres për gjendjen time. Pse ndodhet në këtë gjendje vajza”, tregon ajo.
Gruaja rrëfen se jeton e ndarë nga i shoqi në shtëpinë e të atit. |Unë jam e ndarë nga bashkëshorti im. Sa vjeçe është vajza tani, aq vite kam që nuk rri me të. Kam vuajtur shumë me babanë e fëmijëve të mi, kam jetuar për disa kohë në Greqi. Xhelozia të çon në vdekje. Më ka ruajtur zoti që nuk kam vdekur kur kam qenë shtatzënë me vajzën, ndërsa djalin e kam pasur 8 muaj e gjysmë. Fëmijët e mi janë me kombësi greke, pasi babai i tyre është grek, VorioEpiriot. Por, fëmijët në këtë ditë sot nuk e kanë këtë kombësi, ja ka hequr babai. Vajzën ai nuk e do, interesohet vetëm për djalin. Ai nuk ia jepte mbiemrin fëmijëve të tij. Kjo shtëpi që unë rri sot është e babait tim. Kur kthehet vajza nga dera e burrit, nuk të do njeri dhe unë e kam vuajtur dhe e vuaj këtë gjë. Vajza ime ka kaluar shumë gjëra të vështira me mua dhe, ka parë shumë skena jo të mira. Edhe në këtë ditë sot, ajo vazhdon ta vuajë këtë pjesë. Unë nuk jam në gjendje për të mbajtur as fëmijët e mi, pasi marr vetëm 10 mijë lekë invaliditeti. Ato nuk më dalin mua, por fëmijëve të mi jo e jo. Kam kategorinë e parë të sëmundjes dhe ka shumë vështirësi. Babai dhe nëna ime janë nga 70 vjeç dhe kanë hallet e tyre. Babai është i sëmurë, ka tumor në tru. Këtë gjë K…. nuk e përballon mirë, pasi prindërit e mi e rritën. Ajo më shumë do ata, sesa mua. K…. është një vajzë shumë e mirë dhe pa probleme. Në shkollë më flasin të gjithë mirë për të”, tregon nëna.



