
Gjykata e Elbasanit ka liruar nga qelia dy mjekët dhe ndihmës mjekun e arrestuar, për mjekimin në banesë të të shumëkërkuarit Nuredin Dumani.
Për mjekun e spitalit të Fierit, Ermal Gjeçi u vendos “arrest shtëpie, ashtu si dhe për ndihmës mjekun Blendi Bërdalli.
"Detyrim paraqitje" u caktua për mjekun tjetër Julian Malaj.
Tre pjesëtarët e bluzave të bardha akuzohen për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Ata u arrestuan pasi mjekuan në banesë të plagosurin me armë zjarri Nuredin Dumani, duke mos njoftuar policinë.
Një ditë më parë Gjykata e Elbasanit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Nuredin Dumanin i akuzuar për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, në 17 shtator 2020 në një lokal në Bradashesh.
39-vjeçarit, i’u komunikua masa tek Spitali i Traumës. Të premten SPAK i komunikoi akuzën edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, si dhe të Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia.
Nuredin Dumani ra në pranga në Fier, pas atentatit të ndodhur më 29 mars në aksin Cërrik- Elbasan, ku dhe mbeti i plagosur. Hetuesit dyshojnë se Dumani ka pasur njohje të mëparshme me autorët e sulmit dhe se dëshmia e tij do ti ndihmojë në arrestimin e tyre por edhe kapjen e Talo Çelës.



