“The Indipendent” ka zbuluar detaje të reja nga marrëveshje mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe për transferimin e të burgosurve, duke bërë me dije se pjesë e paktit është pajisja e shërbimit të burgjeve shqiptare me automjete të reja.
37 mikrobusë dhe automjete elektrike i janë dhënë Shqipërisë nga qeveria me një kosto prej 1.5 milionë paund, si pjesë e një marrëveshjeje të fundit për kthimin e të burgosurve shqiptarë.
Marrëveshja, e shpallur në maj, do të bëjë që 200 shtetas shqiptarë që janë në burgjet e Anglisë dhe Uellsit të rikthehen në shtëpi për pjesën tjetër të dënimit.
Në këmbim, qeveria tha se do të ndihmonte në “modernizimin” e sistemit të burgjeve shqiptare.
Marrëveshja pritej t'i kushtonte Ministrisë britanike së Drejtësisë rreth 8 milionë paund gjatë dy viteve, me financime të tjera që vinin nga Zyra e Brendshme.
Sipas zyrtarëve britanike marrëveshja ul kostot, pasi aktualisht kostoja vjetore e një të burgosuri në Mbretërinë e Bashkuar shkon në 40 mijë paund në vit.
Detaje të reja nga kontratat e qeverisë, të publikuara këtë muaj, tregojnë se një pjesë e marrëveshjes shumëmilionëshe po shkon drejt pajisjes së shërbimit të burgjeve shqiptare me një flotë të re automjetesh.
Rreth 500,000 paund do të shpenzohen për 15 automjete elektrike, ndërsa 22 mikrobusë të rinj do t'i ofrohen shërbimit të burgjeve të Shqipërisë me një kosto prej më shumë se 1 milion paund.
Ministria e Drejtësisë nuk ka thënë se kur do të dorëzohen automjetet dhe nëse do të ketë të tjera dërgesa të ngjashme edhe në të ardhmen.
Duke shpallur marrëveshjen në maj, Sekretari i Drejtësisë Alex Chalk tha se "publiku pret që kriminelët e huaj duhet të vuajnë dënimet e tyre jashtë shtetit, jo në burgjet tona, në kurriz të taksapaguesve tanë".



