
Nisi sot procesi i zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941. Procesi është në zbatim të marrëveshjes së vitit 2009, e cila mbeti pezull për disa vite me radhë dhe u riaktivizua gjatë bisedimeve që ministrat e Jashtëm, Kocias dhe Bushati, zhvilluan në Kretë në dhjetor të 2017-s.
“Rreth 6 800 - 8 000 ushtarë grekë besohet se janë varrosur pasi u vranë në betejë me forcat italiane në malet e Shqipërisë së Jugut në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Eshtrat e tyre, pas zhvarrosjes dhe identifikimit, do të vendosen në dy varreza të posaçme për të rënët në Vularat dhe Këlcyrë”, shkruan agjencia greke ANA.
Procesi nisi sot rreth orës 11:00. Një ekip i përbërë nga ekspertë shqiptarë dhe grekë do të kryejnë gërmime duke u orientuar me hartat e vjetra (kryesisht italiane) dhe rrëfimet e banorëve të zonave ku mendohet se janë varrosur ushtarë grekë.
Është pritur me protesta nisja e procesit për zhvarrimin e ushtarëve grekë në Dragot të Tepelenës. Anëtarë të Shoqatës Patriotike Çamëria me flamuj e pankarta në duar kundërshtuan marrëveshjen e qeverisë shqiptare me atë greke për zhvarrimin e të rënëve grekë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941.
Ata thanë se janë kundër memorialeve imagjinare dhe e cilësuan procesin si skenar të Vorio-Epirit.
Ndërkohë, në faqen e saj zyrtare, Ministria e Jashtme greke shprehet se zbatimi i marrëveshjes me qeverinë shqiptare dëshmon se vetëm me dialog mund të arrihet në zgjidhjen e çështjeve të kontestuara.
“Në negociatat e Kretës nëntorin e kaluar u diskutua çështja e varrezave për viktimat greke. Aty u ra dakord që kjo çështje të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme. Siç ishte parashikuar, zbatimi i marrëveshjes ka nisur në orarin e përcaktuar.
Ne mirëpresim reagimin e qeverisë shqiptare ndaj ligjit historik, një hap që dëshmon se dialogu dhe bashkëpunimi në një frymë konstruktive dhe pa paragjykime mund të çojë në zgjidhjen e çështjeve ë kontestuara dhe krijimin e perspektivave pozitive midis vendeve të rajonit tonë dhe popujve të tyre.
“Ministria e Jashtme do të vazhdojë të punojë me përgjegjshmëri dhe seriozitet për të mbrojtur interesat tona kombëtare me nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe kushtet për dialog duke u fokusuar në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane në rajonin tone”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.



