
Hamasi pretendon se ka lëshuar 5000 raketa drejt Izraelit në fazën hapëse të operacionit të cilin e quajti “Flood al-Aqsa” .
“Kemi vendosur t’u japim fund krimeve të Izraelit”, lexohet në një deklaratë që denoncon “përdhosjet” që kanë ndodhur në vendet e shenjta të Jeruzalemit.
Mohammed Deif, kreu i krahut ushtarak të Hammasit, deklaroi se operacioni ‘Flood al-Aqsa’ përfaqëson një reagim “ndaj përdhosjes së vendeve të shenjta në Jerusalem” dhe ndaj refuzimit të vazhdueshëm të Izraelit për të “liruar të burgosurit tanë”.
Ai tha se milicët kishin urdhër “të mos vrisnin gra dhe fëmijë”. Ai u bëri thirrje të gjithë palestinezëve që t’i bashkohen luftës së armatosur.
“Armiku është më i dobët se sa mendoni”. Ky tekst u përhap në internet nga Hamasi, i cili, si dhe më parë shfaqi vetëm një profil të errët të fytyrës së Deif.
Ushtria izraelite shpalli gjendjen e alarmit të luftës. Zëdhënësi ushtarak kujtoi se “organizata terroriste Hamas ka filluar të lëshojë raketa masive drejt territorit izraelit dhe në vende të ndryshme”.
Nga sulmi i befasishëm nga Rripi i Gazës ndaj Izraelit dhe vërshimet e mëdha të raketave të kapura pjesërisht nga bateritë mbrojtëse izraelite Iron Dome, një e moshuar mbeti e plagosur rëndë.
Në të gjithë Tel Avivin u ndezën sirenat paralajmëruese të raketave.
Sulmi do të pasohet nga një takim në mesditë mes Kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant me zyrtarë të sigurisë dhe ushtrisë.
Shërbimet e urgjencës izraelite (Magen David Adom) njoftuan se gruaja e plagosur nga goditja e drejtpërdrejtë e një rakete në zonën e Gederot, pranë Ashkelon, ka vdekur.
Deri më tani raportohet për dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur nga sulmi me raketa në të gjithë Izraelin.
Sulmi filluan në mëngjes herët rreth orës 08.15 me orën lokale, ndërsa fëmijët po shkonin në shkollë. Ata u kthyen menjëherë në shtëpitë e tyre ndërkohë që rrugët janë zbrazur.
Të premten dhjetëra mijëra mbështetës të Xhihadit Islamik u mblodhën në rrugët e Gazës për të festuar përvjetorin e themelimit të lëvizjes. Por ende nuk është e qartë nëse ka një lidhje midis asaj ngjarje dhe sulmeve të sotme.
Lëvizja e Rezistencës Islamike e cila sulmoi sot Izraelin është një organizatë politike dhe paraushtarake e frymëzuar nga feja, e themeluar në vitin 1987 si krahu i armatosur i Vëllazërisë Myslimane për të luftuar Shtetin e Izraelit.
Statuti i saj parashikon kthimin e Palestinës në gjendjen e saj parakoloniale dhe krijimin e një shteti palestinez.
E konsideruar si një organizatë terroriste nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, Hamasi ka kryer dhe ka marrë përgjegjësinë për disa sulme në Izrael ndër vite, duke shkaktuar qindra viktima civilë dhe ushtarakë.
Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniye e përshkruan sulmin e nisur kundër Izraelit si një “betejë për dinjitet” përballë “krimeve” të Izraelit.
Për Haniye, sulmi është një përgjigje ndaj “krimeve të okupimit kundër popullit tonë që nga viti 1948”.
Udhëheqësi i Hamasit akuzon Izraelin se ka refuzuar marrëveshjet për të burgosurit duke rikthyer arrestimin e atyre që ishin liruar si pjesë e proceseve të shkëmbimit.
Për të gjitha këto ne po luftojmë një betejë për nder, rezistencë dhe dinjitet dhe për të mbrojtur al-Aqsa nën emrin e shpallur nga komandanti ynë në terren, një ndërhyrje që filloi në Gaza dhe do të shtrihet në Bregun Perëndimor dhe përtej, ku populli dhe kombi ynë janë të pranishëm.



