
Një 42-vjeçar u vra me armë zjarri në shtëpinë e tij në Larushk të Fushë-Krujës. Viktima është Gentian Bejtja, ish-polic burgu.
Ai u ekzekutua nga persona të paidentifikuar në pjesën e brendshme të banesës së tij, ndërsa e pranishme ka qenë vetëm e ëma, pasi familjarët e tjerë i ka jashtë vendit.
Mjeti me të cilin kanë udhëtuar autorët, një fuoristradë tip ‘Land Rover’, u gjet i djegur në fshatin Hasan, pak minuta pas ngjarjes. Mjeti është shkrumbuar totalisht, ndërsa brenda tij janë gjetur të djegur 4 kallashnikovë.
Bejtja ka qenë disa herë në shënjestër të atentateve. Më 4 korrik të vitit të shkuar, ndaj Bejtjes u organizua një tjetër atentat ku mbeti i vrarë vëllai i bashkëshortes së tij, Ramazan Sino, dhe iu plagosën dy fëmijët e tij, 13 dhe 8 vjeç.
Në 9 janar të vitit 2022, ai i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka, i cili ndodhej me të në të njëjtën makinë gjatë momentit kur ndaluan mjetin për ta furnizuar me karburant.
Në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol, ndërsa udhëtonte me makinën e tij në fshatin Nikël të Krujës.
Bejtja ishte njëri nga njerëzit e fundit që ka takuar Enver Stafukën, pak minuta para se të rrëmbehej dhe të zhdukej në mes të Fushë-Krujës, natën e 8 shkurtit të vitit 2015.
Ai njihet për miqësinë e dikurshme me Durim Bamin dhe ka qenë i dyshuar për një sërë ngjarjesh kriminale.



