SPAK shpall në kërkim Besnik Myftarin, përgjimet e Sky ECC dhe dyshimet për përdorimin e medias në dosjen “Aruba” (VIDEO)

SPAK shpall në kërkim Besnik Myftarin, përgjimet e Sky ECC dhe dyshimet për përdorimin e medias në dosjen “Aruba” (VIDEO)

Prokuroria e Posaçme (SPAK), me drejtues hetimi prokurorët Altin Dumani dhe Lidia Kaçkini, vijon hetimet për dosjen e njohur në media si “Aruba”, ku tashmë janë ekzekutuar mbi 20 masa sigurie dhe janë sekuestruar një numër i madh asetesh.

 

Sipas materialeve hetimore të referuara në media, hetimet nuk kufizohen vetëm te aktiviteti financiar apo pasuritë e paluajtshme, por shtrihen edhe në mënyrën e investimit të dyshuar të parave në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, turizmin, hotelerinë, si dhe median.

 

Në këtë kuadër, sipas raportimeve, është shpallur në kërkim edhe ish-zëvendësdrejtori i një prej mediave të mëdha në vend, Besnik Myftari, ndaj të cilit është vendosur masë “arrest në burg”, e paekzekutuar, pasi dyshohet se ndodhet jashtë territorit shqiptar. Interpol Tirana është njoftuar për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

 

Hetimet, sipas dosjes, e lidhin Myftarin me komunikime të përgjuara në platformën Sky ECC, ku dyshohet se përmenden plane investimi që përfshijnë edhe krijimin apo kontrollin e mediave, përfshirë televizione, radio dhe portale online.

 

Në një deklarim për MCN Live, gazetari Arsen Rusta ka përshkruar përmbajtjen e dosjes dhe pretendimet që dalin nga hetimi.

 

Prokurorët Altin Dumani dhe Lidia Kaçkini vijojnë hetimet për procedimin penal njohur në media dhe në opinionin publik si dosja Aruba. Përtej 20 masave të sigurisë, një numër të madh asetesh të sekuestruara, hetimet dhe verifikimet po vijojnë edhe për mënyrën apo skemën e ndërtuar me paratë, e cila ishte jo vetëm nëpërmjet investimeve në realitet, pra në tregun e pasurive të paluajtshme në ndërtime, në kompani ndërtimi, hoteleri, turizëm, por edhe në sektorin e medias.

 

Ai shton se në materialet hetimore përmenden edhe tentativa për të ndërtuar ndikim përmes licencave mediatike.

 

Rezulton se synohej që grupi të investonte në sektorin mediatik, duke mundësuar marrjen e një licence për televizion, radio dhe portal, me qëllimin që përmes një mediaje të krijohej një lloj mburoje apo ndikimi në aktivitetin e tyre.

 

Në vijim të deklarimeve të tij, Rusta përmend edhe komunikime të dyshuara të përfshira në dosje

 

Në komunikimet e Sky ECC thuhet se do të ishin ‘top fare të sigurt dhe të paprekshëm’, sepse do të kishin nën kontroll një media, e cila mund të përdorej për mbrojtje, PR apo edhe për promovimin e aktiviteteve të tyre ekonomike.

 

Sipas të dhënave të referuara në dosje, një shoqëri mediatike e lidhur me çështjen ka pasur më herët një licencë audiovizive, e cila është revokuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) me vendim të vitit 2022.

 

Hetimet e SPAK, sipas burimeve hetimore të cituara në media, vijojnë për të verifikuar rolin e secilit prej personave të përfshirë, si dhe për të dokumentuar nëse investimet në media janë përdorur si instrument ndikimi apo mbulimi për aktivitet të dyshuar kriminal.

 

Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me ato belge dhe spanjolle, po vijojnë letërporositë dhe analizën e komunikimeve të përgjuara, që konsiderohen pjesë kyçe e dosjes “Aruba”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy