
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, të enjten u bëri thirrje qeverive të Amerikës Latine të njohin Juan Guaidon si presidentin e përkohshëm të Venezuelës dhe të deklarojë qeverinë e presidentit Nicolas Maduro si të paligjshme.
Pompeo i kërkoi forcave venezuelase të sigurisë që të mbrojnë Guaidon dhe paralajmëroi mbështetësit e regjimit kundër sulmimit të protestuesve opozitarë.
Pompeo i bëri këto deklarata në selinë e Organizatës së Shteteve të Amerikës më Uashington, duke i “kërkuar anëtarëve të këtij grupimi që të mbështesë Guaidon dhe tranzicionin demokratik dhe të drejtë”.
SHBA-ja është gati të dërgojë 20 milionë dollarë ndihma humanitare për të ndihmuar popullin e Venezuelës, deklaroi më tej sekretari amerikan, ndërkohë u bëri thirrje shteteve që të mos e njohin Nicolas Maduron si president.
SHBA-ja ka njohur opozitarin, Juan Guaido, si presidentin e përkohshëm dhe shumë shtete të tjera, shumica në Amerikë, kanë ndjekur të njëjtin shembull.
Përfaqësuesi i Venezuelës në OAS tha se masa ishte një grusht shteti, duke e quajtur atë një shkelje të së drejtës ndërkombëtare.



