Një ditë pas shpalljes së kuotave të lira në universitetet publike, 50 % e tyre janë ende të paplotësuara. Në Universitetin e Tiranës, nga 5300 kuota të lira gjithsej, janë regjistruar 2700 studentë, ndërkohë që mbeten edhe 2600 vende të lira.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, thotë se në këët fakultet janë të lira rreth 2/3 e kuotave. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Kule thotë se maturantët që presin të ndjekin universitetin, duhet të nxitojnë të regjistrohen.
“Ajo që u themi maturantëve është se ata nuk duhet t’i zërë paniku edhe nëse nuk janë në listat e fituesve, pasi nënfazat e regjistrimit do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Po ashtu, u bëjmë apel atyre kandidatëve që kanë fituar nga ulja e vijës së kuqe në këtë fazë të dytë dhe janë degët që ata preferojnë, se kanë afat deri të martën, pra më 18 tetor, pasi bazuar në udhëzimin e MAS-it, ata nuk do të kenë mundësi të regjistrohen në këto programe pas kësaj date, por mund të regjistrohen në degët e tjera ku do të shpallen fitues në fazat e mëtejshme”, tha ai.



