
Numri i vrasjeve në Indi është më i ulëti që nga fillimi i viteve ‘60. Qeveria dëshiron ta frenojë edhe më tej këtë, duke instaluar një sistem të identifikimit të fytyrës në të gjithë vendin, për të gjurmuar "skemat e krimit".
Shkalla e vrasjeve në Indi ra në 2.49 për 100 000 njerëz në vitin 2017, sipas Byrosë Kombëtare të Regjistrimit të Krimeve (NCRB), duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 1963.
Numri i vrasjeve në shkallë kombëtare ka shënuar rritje për dekada përpara se të arrinte kulmin në fillim të viteve '90. Që atëherë, shifrat kanë pësuar rënie të vazhdueshme, pavarësisht rritjes së popullsisë së Indisë.
Të dhënat tregojnë se numri më i madh i vrasjeve ndodh në shtetet më të varfra dhe shtetet me popullsi fisnore të konsiderueshme, të cilat shpesh janë të dëmtuara nga dhuna komunale, fetare dhe ajo e kastave.
Disa tendenca shqetësuese vazhdojnë, megjithatë, si rritja e disa llojeve të krimeve të tilla si rrëmbimi dhe mbajtja peng, si dhe krimet e dhunshme ndaj grave. Në përpjekje për ta luftuar më tej këtë tendencë, qeveria synon të krijojë sistemin më të madh në botë për njohjen e fytyrës.
Zyrtarët thonë se baza e të dhënave kombëtare jo vetëm që do të ndihmojë në identifikimin e kriminelëve dhe gjetjen e personave të zhdukur, por gjithashtu do të lejojë që agjencitë e zbatimit të ligjit të zbulojnë skemat e krimit dhe strategjitë e shkelësve në të gjithë vendin. Blerja e sistemit pritet të finalizohet muajin tjetër.



