Një nga 11 të infektuarit gjatë natës së mbrëmshme në Kosovë me koronavirus është një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiur, ai është zyrtar i Divizionit të Financave.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se zyrtari është karantinuar sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK).
“Të gjithë zyrtarët e tjerë, të cilët kanë pasur kontakte me zyrtarin e identifikuar me Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] janë karantinuar dhe pritet që, ditët në vijim, të testohen nga IKSHPK-ja”, thuhet në njoftim.
Të hënën, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe disa zyrtarë të kabinetit të tij janë vetizoluar për shkak të kontakteve me një zyrtar që ka qenë në kontakt me një person të infektuar me koronavirus.
Deri sot në vend janë infektuar 895 persona nga koronavirusi, ndërkaq janë shëruar 657 raste dhe 28 persona kanë vdekur.



