“Forcat amerikane përdorën bombardues B-52 dhe avionë F-15 në sulmin ndaj kampeve të ISIS-it në Siri të dielën”, tha një zyrtar amerikan.
Zyrtari tha se sulmet ajrore, të cilat u kryen në Sirinë qendrore, kishin si objektiv "udhëheqësit, operativët dhe kampet e ISIS-it". Ato u realizuan duke përdorur mjete të shumta të Forcave Ajrore, përfshirë bombarduesit B-52, avionët luftarakë F-15 dhe A-10.
"Sulmet u kryen si pjesë e një misioni të vazhdueshëm për të përçarë, degraduar dhe mposhtur ISIS-in, me qëllim që të parandalohet ky grup terrorist nga kryerja e operacioneve të jashtme dhe të sigurohet që ai të mos përfitojë nga situata aktuale në Sirinë qendrore," tha zyrtari.
"Vlerësimet e dëmeve janë ende në zhvillim dhe nuk ka indikacione për viktima civile," shtoi ai.
Zyrtari theksoi gjithashtu se "CENTCOM, së bashku me aleatët dhe partnerët në rajon, do të vazhdojë të realizojë operacione për të degraduar aftësitë operacionale të ISIS-it gjatë kësaj periudhe dinamike në Sirinë qendrore."
Komanda Qendrore e SHBA-së raportoi gjithashtu se janë goditur më shumë se 75 objektiva të ISIS-it gjatë sulmeve të dielës.
"Nuk duhet të ketë dyshim, ne nuk do të lejojmë që ISIS-i të rigrupohet dhe të përfitojë nga situata aktuale në Siri. Të gjitha organizatat në Siri duhet të dinë se ne do t’i bëjmë përgjegjës nëse ato janë partnerë ose mbështesin ISIS-in në çfarëdo mënyre," tha komandanti i CENTCOM, gjenerali Erik Kurilla.
Po ashtu, Presidenti Joe Biden tha se SHBA synon të vazhdojë operacionet anti-ISIS në vend.



