
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Shkodrës, Arbër Çela.
KPK njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 2 dhjetor vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Arbër Çela, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Arbër Çela u përball të premten më 2 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balanca negative në vlera të konsiderueshme për blerjen e një apartamenti, dyshime për formalizimin e blerjes së një automjeti dy vjet me vonesë për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme, si dhe për gjetjet në kriterin e pastërtisë së figurës lidhur me indicie për lehtësimin e disa palëve në proceset gjyqësore që ka shqyrtuar.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari relatore, Genta Tafa Bungo anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Arbër Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe punon prej një dekade si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Ai ushtron gjithashtu funksionin e kryetarit në detyrë.



