Pas marrëveshjes së djeshme mes krerëve të dy partive më të mëdha politike në vend, Kuvendi pritet të mblidhet të hënën në seancë të jashtëzakonshme.
Nuk dihet ende asgjë në lidhje me emrat që PD-ja do të propozojë në postet që i jep marrëveshja Rama-Basha, por sipas kësaj të fundit, ata duhet të jenë figura që nuk vijnë nga politika.
Propozimet pritet të vijnë edhe nga aleatët, të cilët i qëndruan në krah PD-së përgjatë gjithë 3 muajve qëndrim në çadrën e protestës. Deri të hënën emrat e opozitës duhet të jenë gati, pasi secili prej tyre do të votohet në seancën e jashtëzakonshme për t’i hapur rrugën qeverisë së re teknike.
Ndërkohë, siç raporton GSH, aleatët e Bashës mund të futen në listat e PD-së. Për shkak të vendimit për të mos pasur koalicione parazgjedhore, më të penalizuarit pritet të jenë LSI dhe PDIU, pasi i kanë dorëzuar tashmë listat e kandidatëve për deputetë. Ndërsa aleatët e PD-së mund t’i kërkojnë Bashës të përfshihen në pozicione të sigurta në listat e kandidatëve të PD për deputetë. Në listën e saj pritet të jenë vetëm tre aleatë: konkretisht kreu i PR-së, Fatmir Mediu, kreu i PAA-së Agron Duka dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në pikëpyetje janë aleatët e tjerë, të cilët i qëndruan pranë PD-së gjatë qëndresës 90-ditëshe në “çadrën e lirisë”.



