Michael Moore parashikon një mandat të dytë për Donald Trump. "Donald Trump është në rrugën e duhur për të përsëritur fitoren e 2016-s", ka thënë regjisori i famshëm amerikan dhe krijuesi i dokumentarëve, i cili katër vjet më parë ishte një nga të paktët që parashikoi triumfin e manjatit ndaj Hillary Clinton.
Në një postim të gjatë, Moore nënvizon se si "niveli i entuziazmit të bazës për Trump është duke u rritur, ndërsa nuk po ndodh e njëjta gjë me mbështetësit e Joe Biden".
"Po ju paralajmëroj dhjetë javë përpara", shton Moore, duke iu drejtuar votuesve: "Mos lejoni që Partia Demokratike të heqë qafe Trump, ne duhet të jemi ata që do ta heqim qafe atë. Dhe në 60 ditët e ardhshme - vazhdon ai - duhet të jemi të sigurt që secili nga ne të sjellë të paktën njëqind vetë për të votuar".
Regjisori paralajmëron Biden që të mos bëjë të njëjtat gabime si Hillary Clinton në vitin 2016, kur ajo shmangi takimet elektorale në disa shtete kryesore që më vonë u vërtetuan me rëndësi kyçe në fitoren e Trumpit.



