Gjermania do të kalojë dimrin me guxim dhe forcë pavarësisht rreziqeve për mungesa të gazit. Kështu ka deklaruar kancelari Olaf Scholz, duke nisur një sulm ndaj politikës energjetike të CDU-së së paraardhëses së tij Angela Merkel.
“Jemi në një situatë ku mund të themi se do ta kalojmë këtë dimër, pavarësisht nga të gjitha tensionet, falë përgatitjeve që kemi bërë, të cilat askush nuk mund t’i garantonte tre, katër, pesë muaj më parë”, tha kancelari gjerman para parlamentit, i cili sot filloi shqyrtimin e buxhetit të vitit 2023.
“Ne jemi sot në një pozicion për ta përballuar këtë dimër me guxim dhe forcë dhe për të siguruar që vendi ynë ta kalojë atë”, vazhdoi kancelari socialdemokrat.
Pasardhësi i Merkelit u shpreh gjithashtu i bindur se Gjermania është në gjendje të angazhohet në rrugën drejt së ardhmes, pasi ka marrë vendime të rëndësishme, më të rëndësishme se ato të marra gjatë dekadave të fundit.
Këto vendime po japin fryte, vijoi ai, duke iu referuar kryesisht numrit të planeve të ndërtimit për terminalet e importit të gazit të lëngshëm natyror (LNG).
Gjithashtu, nivelet e depozitimit të gazit natyror kalojnë 85% të kapacitetit dhe janë më të larta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Duke adoptuar një ton agresiv, kancelari gjerman kritikoi politikat energjetike të qeverive konservatore CDU-CSU, të cilat kanë çuar në mbështetjen e tepërt të Gjermanisë në gazin natyror të importuar nga Rusia.



