Konflikti midis dy vëllezërve për pronat e lëna trashëgimi

Konflikti midis dy vëllezërve për pronat e lëna trashëgimi

Kadri Vogli, një banor nga Rrogozhina, ka kërkuar ndihmën e emisionit “Xhadat” në lidhje me konfliktin që ka me vëllain e tij. 

 

Kadriu, prej vitesh, ka jetuar dhe punuar në Suedi, por pas daljes në pension ai vendosi të kthehej, së bashku me bashkëshorten e tij, në Shqipëri. Në momentin që ai ka tentuar të shkojë tek shtëpia e tij në Rrogozhinë, është ndalur nga vëllai i tij, Ymeri, i cili i ka thënë se ai nuk ka pjesë toke apo trualli aty dhe i ka mbyllur derën.

 

Edhe pse ka bërë denoncime në polici dhe kudo për këtë çështje, Kadriu nuk ka gjetur zgjidhje. 

 

Duke iu drejtuar emisionit “Xhadat” dhe MCN TV, ai thotë se posedon jo vetëm pjesën e tij, por edhe pjesë të tjera të tokës dhe të shtëpisë, me anë të dy testamenteve që ia kanë lënë nëna dhe babai, të cilët kanë ndërruar jetë. 

 

Kadriu tenton të hapë me forcë derën e mbyllur nga vëllai i tij, por dera është e kyçur. Pas disa tentativash të vazhdueshme, trokitjesh dhe përpjekjesh për të hapur portën e shtëpisë, kunata e Kadriut del jashtë dhe fillon të debatojë me të. 

 

Ajo thotë se nuk ia hap derën Kadriut, sepse, sipas saj, ai nuk e ka hyrjen aty ku ndodhet porta, por pak më tutje, aty ku ndodhet rruga që të çon në shtëpinë e vjetër që ai trashëgon. 

 

Kunata e Kadriut dhe Kadriu vijojnë të debatojnë me njëri-tjetrin, derisa debati përshkallëzohet në ofendime. 

 

Gazetari Arben Qollaku i drejtohet kunatës së Kadriut duke e pyetur nëse ajo ka mundësi të sjellë ndonjë dokument që tregon se pjesa e tokës ku është vendosur porta i përket bashkëshortit të saj. 

 

Ajo thotë se nuk i ka dokumentet vetë, pasi ato i mban vajza e saj në Tiranë. Pas disa çastesh, nga shtëpia del edhe vëllai i Kadriut, Ymeri, i cili vjen me një shkop të madh në dorë.

 

Në momentin që Ymeri afrohet pranë portës, Kadriu fillon të bisedojë me të dhe i kërkon që t’i hapë derën për të hyrë brenda. Por Ymeri i thotë se nuk i takon të futet fare aty, pasi nuk e ka hyrjen në atë pjesë. 

 

Debati vazhdon dhe, në një moment, Ymeri tenton ta godasë Kadriun me shkop, por ndalohet nga gruaja e tij. Pas debatit që Kadriu bëri me kunatën dhe vëllain e tij, ai telefon policinë dhe i kërkon atyre që të vijnë dhe ta ndihmojnë atë të hyjë në shtëpinë e tij sepse vëllai i ka mbyllur derën dhe nuk e lejon të hyjë brenda. 

 

Gjithashtu ai thotë që ka pasur me vëllain e tij konflikt verbal për shkak të kësaj gjëje. Pas disa telefonatave me policinë, salla operative i thotë Kadriut që do nis disa forca policie që të sqarohet debati që ka me vëllain e tij. 

 

Pas disa minutash, një fugon policie mbërrin pranë vendit ku ndodhej Kadriu, së bashku me gazetarin dhe operatorin e emisionit “Xhadat”. Kadriu afrohet pranë furgonit dhe u shpjegon policëve se kërkon ndihmë për të hyrë në shtëpinë e tij, pasi vëllai ia ka mbyllur derën. 

 

Pas disa bisedimeve, policët i thonë se nuk mund të ndërhyjnë, pasi nuk kanë kompetenca për këtë gjë, përveçse në rast se ka ndodhur dhunë fizike mes palëve. Ata shpjegojnë se për këtë çështje duhet të kontaktohet drejtori i Urbanistikës pranë Bashkisë së Rrogozhinës. 

 

Policia largohet nga vendi dhe gazetari Arben Qollaku, bashkë me zotin Kadri, nisen drejt Bashkisë së Rrogozhinës. 

 

Ekipi i “Xhadave” pasi shkojnë pranë Bashkisë së Rrogozhinës dhe hynë në zyrën e informacionit për të pyetur nëse Tomorr Thartori, punonjës i Urbanistikës, ndodhet në zyrë, në mënyrë që të intervistohet lidhur me rastin e zotit Kadri Vogli. 

 

Pas disa minutash pritjeje, nga zyra e informacionit informohen se zoti Tomorr ndodhet në terren dhe nuk është në zyrë, si dhe nuk dihet saktësisht kur do të kthehet. Pas disa telefonatash çdo 5 minuta për ta kontaktuar, ai nuk përgjigjet. Gazetari afrohet sërish në zyrën e informacionit për të lënë një kërkesë për informacion në lidhje me rastin. 

Në lidhje me pyetjen e drejtuar Zyrës së Urbanistikës së Bashkisë Rrogozhinë, në përgjigje thuhej: Në lidhje me ankesën e paraqitur nga z. Kadri Vogli, i cili ka dorëzuar dokumentacionin tekniko-ligjor për pasuritë në të cilat rezulton bashkëpronar si anëtar i familjes bujqësore (sipas AMTP-së) dhe si trashëgimtar (sipas pjesës takuese/testamentit, pasi prindërit kanë ndërruar jetë), ku ai shprehet se ka konstatuar korrigjime në kartelën e pasurisë, si dhe ankesa të tjera që lidhen drejtpërdrejt me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës- Drejtoria Vendore Durrës- Kavajë- Krujë, ju bëjmë me dije sa më poshtë:

 

Ju lutemi t’i drejtoheni zyrës përkatëse të ASHK-së për t’u informuar në mënyrë të detajuar lidhur me veprimet juridike të kryera mbi pasuritë në favor të bashkëpronarëve Vogli, për korrigjimet e pretenduara nga z. Kadri Vogli, si dhe për ndarjen e pasurisë midis bashkëpronarëve Vogli, pasi këto verifikime nuk janë kompetencë e Bashkisë Rrogozhinë.

 

Nga shqyrtimi i dokumentacionit që disponon z. Vogli (certifikatë pronësie, kartelë pasurie) lidhur me konfliktin midis bashkëpronarëve Vogli për pasurinë me nr. 204/4, vol. 14, fq. 166, ZK 3235, pasuri e llojit “Arë + Truall”, me sipërfaqe totale 800 m², prej të cilave 300 m² truall dhe 127 m² ndërtim, rezulton se z. Kadri Riza Vogli figuron me vetëm 1/6 pjesë takuese të kësaj pasurie.

 

Në seksionin e “Përshkrimit të veçantë” të kartelës rezultojnë të regjistruara dy akte, përkatësisht:

 

-Akti nr. 207, me sipërfaqe 660 m², dhe

 

-Akti nr. 208, me sipërfaqe 300 m² truall (ndërtese 127 m²).

 

Lidhur me këtë fakt, palët në konflikt duhet të bien dakord për ndarjen e pasurisë me nr. 204/4, sipas pjesëve takuese të përcaktuara në dokumentacionin që disponojnë.

 

Bazuar në nenin 207 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, përcaktohet se:

 

“Pjesëtimi i sendit të përbashkët kryhet me marrëveshjen e të gjithë bashkëpronarëve.

 

Kur sendi është i paluajtshëm, marrëveshja duhet të bëhet me akt noterial.

 

Kur kjo marrëveshje nuk arrihet, pjesëtimi i sendit kryhet me anë të gjykatës, duke u thirrur në gjyq të gjithë bashkëpronarët.

 

Pjesëtimi i sendit të përbashkët bëhet me ndarjen e tij në natyrë, sipas pjesëve që kanë bashkëpronarët, nëse kjo ndarje është e mundshme dhe nuk dëmton qëllimin përkatës të sendit.

 

Pabarazia e pjesëve që rezulton nga ndarja në natyrë kompensohet me një shpërblim në para.

 

Pas leximit të përgjigjes së Bashkisë së Rrogozhinës, kërkesa për informacion i drejtohet më pas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Kavajë, në lidhje me çështjen e zotit Kadri. 

 

Për të pasur një sqarim ligjor mbi rastin, avokati Erald Aga jep mendimin e tij profesional në lidhje me çështjen e zotit Kadri Vogli. 

 

Problematika qëndron tek hipoteka, e cila ka ngatërruar të gjitha palët, pasi nuk duhej ta regjistronte pronën në emër të vëllait të Kadri Voglit. Në vitet 1991–1992, me ligjin nr. 75/01, familjes bujqësore, pra prindërve ose vëllait të Kadriut, iu dha tokë përmes Aktit të Marrjes së Pronësisë (AMTP). 

 

Në certifikatën e vitit ’91, si familje bujqësore, rezultonin prindërit, nëna dhe i ati i Kadriut, bashkë me motrën. Motra e Kadriut nuk ka zotësi të plotë për të vepruar dhe kujdestar është caktuar Kadriu. Më pas është vijuar me regjistrimin e AMTP-së. Pas ndërrimit të jetës së prindërve të Kadriut, është hapur dëshmia e trashëgimisë, nga e cila rezulton se ekziston një testament në të cilin Kadri Vogli është trashëgimtar i vetëm. 

 

Me këtë AMTP dhe me këto dy dëshmi trashëgimie, hipoteka duhej ta regjistronte pronën në mënyrë të drejtë, duke qenë se ishin tre trashëgimtarë, dhe ta ndante pronën në tre pjesë. Dy të tretat, pas vdekjes së prindërve, do t’i takonin Kadri Voglit, ndërsa një e treta motrës. Aktualisht rezulton se për të gjitha pronat e marra me AMTP nga zoti Kadri Vogli, sipas dëshmive të trashëgimisë, procesi i regjistrimit është kryer rregullisht pranë ASHK Kavajë. Por për pronën ku ai ka konflikt me vëllain, nuk kuptohet si është ndarë në gjashtë pjesë, pra edhe për motrat e vëllezërit. 

 

Është e paqartë se çfarë dokumenti trashëgimie apo testamenti është përdorur, pasi testamenti rezulton vetëm në emër të Kadriut. Megjithatë, me kërkesë të vëllait, referuar aktit të pronësisë, prona është regjistruar edhe në emër të tij dhe motrave me pjesë të barabarta 1/6, gjë që bie ndesh me ligjin. 

 

Ligji përcakton se AMTP regjistrohet në emër të familjes bujqësore. Kjo familje ka pasur tre anëtarë, dy prej të cilëve kanë ndërruar jetë dhe me testament ua kanë lënë pronën Kadriut. Pra, ai ka 2/3 e pronës dhe motrat apo vëllezërit nuk janë trashëgimtarë në testament. 

 

Duhet parë nëse edhe motra, që ishte nën kujdestarinë e tij, ia ka lënë pasurinë Kadriut. Nëse po, atëherë e gjithë prona i takon atij. ASHK Kavajë duhet të sqarojë se si është regjistruar prona në emër të vëllait të Kadriut me 1/6 pjesë, dhe pse, pasi Kadriu ka dorëzuar dy testamente, prona nuk është regjistruar sipas tyre. Kjo mbetet shumë dyshuese.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy